Please enter at least 3 characters.

Real Madridi "ngrin" operacionin për transferimin e Rodrit, zbulohet arsyeja

E ardhmja e Rodrit te Manchester City vazhdon të mbetet e paqartë, teksa mesfushori spanjoll po shqyrton ofertën për rinovimin e kontratës, ndërsa njëkohësisht nuk e fsheh dëshirën e kahershme për të luajtur te Real Madridi.

Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, drejtuesit e Manchester Cityt i kanë paraqitur 30-vjeçarit një ofertë të re dhe shumë të rëndësishme financiare për zgjatjen e bashkëpunimit. Tashmë vendimi final i takon vetë lojtarit.

Rodri ka dy mundësi: të rinovojë kontratën dhe të vazhdojë karrierën në "Etihad", ose të qëndrojë deri në përfundimin e marrëveshjes aktuale dhe të largohet si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.

Edhe pse prej muajsh emri i tij lidhet me një transferim te Real Madridi, aktualisht nuk ka lëvizje konkrete nga kampi i "Los Blancos".

Romano zbulon se lojtari e sheh me shumë interes mundësinë e rikthimit në Madrid, por presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk është i bindur për ta ndjekur këtë operacion.

"Rodri ëndërron të luajë për Real Madridin, por për momentin historia mes Real Madridit dhe Rodrit është e ftohtë për shkak të presidentit", ka deklaruar Fabrizio Romano.

Nga ana tjetër, Manchester City mbetet i vendosur ta mbajë një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës.

Klubi anglez i ka ofruar kushte të favorshme mesfushorit, pavarësisht faktit se ai tashmë ka mbushur 30 vjeç.

Vendimi i Rodrit pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e tij, pasi ai duhet të zgjedhë mes vazhdimit të aventurës në Ligën Premier me Manchester Cityn ose realizimit të ëndrrës për të veshur fanellën e Real Madridit në të ardhmen. /Telegrafi/