Please enter at least 3 characters.

Real Madridi mbetet edhe pa një mbrojtës - dëmtim i rëndë, deri pesë muaj jashtë

Ferland Mendy është përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit, pasi Real Madridi ka konfirmuar se mbrojtësi francez ka pësuar një lëndim të rëndë.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, pas ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor, Mendy është diagnostikuar me lëndim në tendinën e muskulit në këmbën e djathtë.

Reali shtoi se gjendja e lojtarit do të monitorohet gjatë procesit të rikuperimit, por sinjalet e para tregojnë për një mungesë të gjatë.

Vlerësimet fillestare bëjnë të ditur se mbrojtësi i krahut të majtë mund të qëndrojë jashtë fushave deri në pesë muaj, çka e përmbyll praktikisht sezonin e tij dhe vë në pikëpyetje gatishmërinë për fillimin e edicionit të ardhshëm.

Ky është një lajm i keq për Real Madridin, pasi Mendy ka qenë një alternativë e rëndësishme në repartin defensiv, sidomos në ndeshjet me intensitet të lartë.

Mungesa e tij pritet ta detyrojë stafin teknik të bëjë ndryshime në organizimin mbrojtës në një periudhë vendimtare të sezonit.


Tani fokusi do të jetë te rehabilitimi, me klubin që synon rikuperimin e plotë të lojtarit, pa e nxituar kthimin e tij në fushë. /Telegrafi/