Please enter at least 3 characters.

Rashford te Arsenali? Legjenda e klubit propozon shkëmbimin befasues me Manchester Unitedin

Ish-mbrojtësi i Arsenalit, Lee Dixon, beson se një marrëveshje shkëmbimi mes sulmuesit të Manchester Unitedit, Marcus Rashford, dhe talentit të “Topçinjve”, Myles Lewis-Skelly, do të kishte kuptim për të dyja klubet.

Dixon këmbëngul se Mikel Arteta do të ishte trajneri ideal për ta rikthyer në formën më të mirë reprezentuesin anglez, veçanërisht në krahun e majtë.

Duke folur për mundësinë e këtij shkëmbimi, Dixon e mbështeti idenë, duke e konsideruar një hap pozitiv për të dy lojtarët. Sipas tij, aftësitë e Artetas në menaxhimin e futbollistëve do të ishin vendimtare për të nxjerrë më të mirën nga Rashfordi.

“A do t’i shkëmbeja ata (Myles Lewis-Skelly dhe Marcus Rashford)? E dini çfarë, ndoshta po”, deklaroi Dixon për BestBettingSites.

“Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me Myles Lewis-Skellyn. Bëhet fjalë për t’i dhënë atij lirinë që të shkojë dhe ta zhvillojë lojën e tij diku tjetër”.

“Sa i përket Marcus Rashfordit, ai është një lojtar që ka nevojë për përkrahje dhe Arteta do të ishte i shkëlqyer për të”.

“Jepi atë dashuri, jepi lirinë për të luajtur në krahun e majtë dhe po, do të doja ta shihja me fanellën e Arsenalit”.

“Kam rezervat e mia nëse ai është vazhdimisht një lojtar i nivelit më të lartë, por duke parë skuadrën që Arsenali ka aktualisht, ai do të ishte një përforcim i mirë”, tha ai.

Rashford ka kaluar një periudhë të gjatë jashtë planeve dhe aktivizimeve te Manchester Unitedi.

Sulmuesi bëri paraqitjen e fundit në mesin e “Djajve të Kuq” më 12 dhjetor 2024, në ndeshjen e Europa League kundër Viktoria Plzen.

Më herët gjatë atij muaji, Rashford shënoi dy gola kundër Evertonit, duke e çuar në 138 numrin e golave të tij me fanellën e Manchester Unitedit./Telegrafi/