Please enter at least 3 characters.

“Qëndro i qetë”, Arbeloa e qorton publikisht Mbappen pas deklaratave shpërthyese

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka thënë se e “kupton plotësisht” shpërthimin e Kylian Mbappes të enjten mbrëma, por gjithsesi i ka kërkuar francezit të “qëndrojë i qetë” pas deklaratave të bujshme.

Si të mos mjaftonte drama e ditëve të fundit në “Santiago Bernabeu”, Mbappe e ndezi edhe më shumë situatën pas fitores 2-0 të Realit ndaj Real Oviedos në mesjavë. 27-vjeçari e kritikoi Arbeloan për faktin se e mbajti në stol deri në minutën e 69-të, ndërsa la të kuptohet se skuadra ishte më e mirë nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Dy ditë pas intervistës së papritur të Mbappes, Arbeloa foli gjerë e gjatë për raportin me yllin e sulmit dhe për komunikimin e tyre prapa skenave.

“Tani, sapo po dilja, e pashë dhe i thashë menjëherë të qëndrojë i qetë, se do ta menaxhoj unë. E kuptoj që shumë prej këtyre gjërave duken si ‘lajm’. Gjithçka që ai tha në zonën miks ishte diçka që ai ma kishte thënë mua edhe më herët”.

“E marr shumë më natyrshëm sepse, siç u them gjithmonë lojtarëve të mi, unë kam qenë aty dhe e di çfarë ndiejnë në çdo situatë. E di çfarë është të luash çdo ditë, e di çfarë është të luash më pak dhe e di çfarë është të mos luash fare. E kuptoj plotësisht si ndihen kur nuk luajnë”.

Shumica e pakënaqësisë së Mbappes lidhej me faktin se nuk e nisi nga minuta e parë, edhe pse u kishte thënë mediave se ishte plotësisht i gatshëm. Arbeloa zgjodhi një treshe sulmi me Vinicius Junior, Gonzalo García dhe Franco Mastantuono.

Kur Mbappe u fut në lojë, ai u prit me vërshëllima të forta nga tifozët e “Bernabeut”, të cilat nuk u ndalën as kur francezi asistoi në golin e vonshëm të Jude Bellinghamit.

“E di që ai nuk ishte i lumtur ditën tjetër dhe mua më pëlqen kjo. Nuk do ta kuptoja nëse Kylian Mbappe nuk do të donte të luante me ekipin e tij, edhe në një situatë si kjo. Për mua, është shumë më normale sesa është bërë”.

“Në situatën ku ishte, me të drejtë apo pa të drejtë, mendova se ishte më mirë të luante pak në pjesën e dytë që të ishte gati për të luajtur të dielën. Po të mos ishte ndeshja e së dielës, situata do të ishte krejt ndryshe, por kaq. Unë e shoh gjithçka që ka ndodhur këto ditë si shumë normale dhe marrëdhënia ime me Mbappen mbetet e njëjtë”.

Deklaratat e Mbappes janë vetëm episodi i fundit në një seri skandalesh te Real Madridi. Javët e fundit, Alvaro Carreras raportohet se ka lënë të kuptohet se Antonio Rudiger e ka goditur me shuplakë, ndërsa Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni thuhet se u përfshinë në një përplasje të ashpër që përfundoi me lëndim në kokë për uruguaianin.

Megjithatë, Arbeloa theksoi se nuk shqetësohet kur lojtarët i nxjerrin bisedat private në publik, edhe pse vetë nuk do të vepronte njësoj.

“Sa herë që flas me lojtarët, mendoj për atë që them — jo sepse mund të dalë jashtë — por sepse e kam seriozisht atë që them. Nuk kam frikë që ata të komentojnë apo të shprehin bisedat që kemi pasur.

“Kur ata flasin me mua privatisht, më pëlqen të mbetet private. E kuptoj dhe nuk më bezdis e as nuk më lëndon që ata mund ta bëjnë publike një bisedë që kanë pasur me mua. Unë fola me [Mbappen] para ndeshjes dhe ajo që i shpjegova atij është ajo që ai ju shpjegoi juve. Nuk ka ndonjë problem më të madh”./Telegrafi/