Publikohen pamjet e para pas sulmit në një nga fabrikat më të mëdha petrokimike të Rusisë
Janë publikuar pamjet e para nga kompleksi industrial Nizhnekamskneftekhim, pas sulmit që goditi një nga zonat kryesore të këtij impianti të rëndësishëm petrokimik në Rusi.
Sipas raportimeve, pamjet tregojnë zonën e dytë industriale të fabrikës, e cila konsiderohet një nga sektorët kryesorë të prodhimit.
Në këtë pjesë të kompleksit prodhohen materiale të rëndësishme si etileni, polietileni, polipropileni, goma sintetike dhe produkte të tjera petrokimike.
Nizhnekamskneftekhim është një prej prodhuesve më të mëdhenj të polimereve në Rusi dhe një pjesë e madhe e kapaciteteve të tij prodhuese janë të përqendruara pikërisht në këtë zonë të impiantit.
Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të plota për dëmet e shkaktuara nga sulmi, ndërsa autoritetet ruse pritet të japin më shumë informacione për ndikimin në procesin e prodhimit.
Objektet energjetike dhe industriale ruse janë bërë gjithnjë e më shpesh objektiv i sulmeve me dronë gjatë luftës në Ukrainë, me synim goditjen e kapaciteteve që lidhen me industrinë dhe furnizimet strategjike. /Telegrafi/


