Publikohen pamjet e operacionit të RENEA-s, momentet e fundit të negociatave me Nertil Buzin
A2CNN ka siguruar pamjet e momentit kur forcat RENEA, nën drejtimin e prokurorit, rrethuan automjetin ku ndodhej Nertil Buzi, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Roskovec.
Në pamje shfaqet ndërhyrja e forcave speciale dhe momentet e negociatave me autorin, i cili qëndronte i izoluar brenda makinës prej disa orësh.
Pas përpjekjeve të vazhdueshme të efektivëve, Buzi pranoi të lironte Rozalinda Plakën, të cilën e mbante pranë tij.
Një prej efektivëve e mori 24-vjeçaren dhe e largoi menjëherë nga zona e rrezikut, duke e çuar disa metra më tej në një vend të sigurt. Më pas, ai u rikthye pranë automjetit për të vijuar negociatat me autorin dhe për ta bindur që të dorëzohej.
Por Buzi refuzoi të dorëzohej dhe, pas disa orësh përballjeje me forcat e policisë, i dha fund jetës duke u vetëvrarë brenda makinës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit Buzi shkoi i armatosur në banesën e familjes Plaku dhe qëlloi me armë gjahu.
Nga të shtënat humbi jetën në vendngjarje Kosta Plaku, babai i Rozalindës, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaku, ndërroi jetë më vonë në spital për shkak të plagëve të marra.
Buzi dhe Rozalinda Plaku kishin qenë të fejuar disa vite më parë, por marrëdhënia mes tyre ishte ndërprerë. Familjarët e vajzës kanë deklaruar se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe se e kishte kërcënuar vazhdimisht.


