Please enter at least 3 characters.

Pse zgjohet foshnja sapo e vendos në shtrat?

Gjumi i foshnjës kërkon durim dhe ritëm – këto janë arsyet pse zgjohen shpesh dhe mënyrat si t’i qetëson

Foshnjat e fjetura janë një pamje e mrekullueshme për t’u parë, por çdo prind e di se sa shumë përpjekje qëndron pas këtij momenti, përkundje, mbajtje në krahë, këngë gjumi, vetëm që ajo të zgjohet sapo e vendos në shtrat.

Shumë mendojnë se kjo ndodh sepse foshnjat mësohen me mbajtjen në krahë, por e vërteta është më e ndërlikuar. Zhvillimi i foshnjës është kompleks, dhe këto janë arsyet më të zakonshme pse ajo zgjohet shpesh:

1. Foshnja po rritet

Në një intervistë me një trajner gjumi, specialisti tha se këto ndryshime janë normale dhe njihen si regresion i gjumit, periudha kur foshnjat që më parë flinin pa ndërprerje, papritur fillojnë të zgjohen gjatë natës ose shmangin gjumin e ditës.

“Rreth moshës katër muajsh, foshnja përjeton kërcimin e parë zhvillimor”, shpjegon eksperti.

Në këtë fazë, mënyra se si ajo fle ndryshon plotësisht nga periudha e të porsalindurve. Ajo që i mësoni tani, qoftë e mirë apo e keqe, do të bëhet baza e zakoneve të gjumit në të ardhmen shkruan Smart Parenting.

2. Foshnja mund të mos ketë aktivitet të mjaftueshëm fizik

Kjo vlen edhe për foshnjat disa javëshe. Të vegjlit duhet të kalojnë rregullisht kohë duke qëndruar në bark, sepse kjo ndihmon në forcimin e muskujve të qafës dhe shpinës.

Një studim nga Universiteti i Miçiganit zbuloi se qëndrimi në bark gjatë ditës ndikon në gjatësinë dhe cilësinë e gjumit gjatë natës. Në kërkim morën pjesë 22 foshnja 6-mujore, dhe u vu re se ato që kishin më shumë aktivitet fizik gjatë ditës flinin më gjatë dhe më qetë natën.

Ekspertët këshillojnë: sigurohuni që foshnja të jetë zgjuar, jo e uritur apo e lodhur, kur e vendosni në bark, përcjell Telegrafi.

3. Foshnja mund të mos kuptojë se ka ardhur koha për gjumë

Prindërit mund të fillojnë të krijojnë zakone të mira gjumi që në javët e para. Sipas Klinikës Mayo, stimulimi i tepërt mund të pengojë foshnjat të pushojnë si duhet.

Një orë para gjumit, zbehni dritat dhe ulni aktivitetet, në mënyrë që ajo të dallojë qartë ndryshimin mes ditës dhe natës.

4. Foshnjës i duhet pak kohë për t’u përshtatur

Është krejt normale që foshnjat të lëvizin ose të bëjnë zhurmë pasi i vendosni për gjumë. Ekspertët sugjerojnë t’i lini disa çaste për t’u qetësuar vetë, ndonjëherë një fjalë e butë ose një përkëdhelje mjafton për ta ndihmuar të rifitojë ndjenjën e sigurisë.

5. Një masazh i lehtë mund të ndihmojë

Përveç qetësimit të dhomës dhe uljes së ndriçimit, masazhi i butë është një mënyrë shumë efektive për t’i ndihmuar foshnjat të flenë më mirë.

Një studim i Bibliotekës Kombëtare të Shëndetit të SHBA tregoi se shtimi i një masazhi të butë në rutinën e mbrëmjes ndihmon në pakësimin e zgjimeve të natës dhe përmirëson cilësinë e gjumit të nënës.

Për më tepër, masazhi forcon lidhjen emocionale midis nënës dhe foshnjës. Prekja, aroma dhe zëri juaj krijojnë ndjesinë më të madhe të sigurisë për të. Herën tjetër kur foshnja bëhet e shqetësuar gjatë natës, vendosni pak losion për bebe në pëllëmbë dhe bëni një masazh qetësues.

Koha për pushim apo për momente me partnerin nuk duhet të jetë gjithmonë një betejë. Mjafton të gjeni teknikën që funksionon për foshnjën tuaj dhe ta ndiqni me durim, gjumi i mirë është zakon që mësohet me dashuri. /Telegrafi/