Please enter at least 3 characters.

Pse po prishen kaq shumë marrëdhëniet familjare?

Heshtja, krenaria dhe keqkuptimet e pathëna po krijojnë distancë mes njerëzve që dikur ishin më të afërt, ndërsa shpesh mjafton një hap i vogël për ta rikthyer lidhjen

Miradije Statovci
Psikologe Klinike,
Poliklinika Galaxy

Si psikologe, kohët e fundit dëgjoj gjithnjë e më shpesh njerëz që thonë:

“Nuk e di çfarë ndodhi… dikur ishim shumë të afërt.”

Dhe kjo është një nga dhimbjet më të mëdha të kohës sonë.

Nuk po largohemi gjithmonë sepse nuk e duam njëri-tjetrin.

Po largohemi sepse nuk po flasim më.

Jemi bërë shumë të shpejtë për të gjykuar dhe shumë të ngadalshëm për të kuptuar.

Na mjafton një fjalë për t’u zemëruar, një keqkuptim për t’u larguar dhe një krenari e vogël për të mos telefonuar më.

Në familje, ndonjëherë njerëzit nuk ndahen nga mungesa e dashurisë.

Ndahen nga plagët që nuk i kanë folur kurrë.

Njëri pret një telefonatë.

Tjetri pret një falje.

Njëri mendon: “Pse nuk më kërkon?”

Tjetri mendon: “Pse duhet ta kërkoj unë?”

Dhe kështu kalojnë ditët… muajt… ndonjëherë edhe vitet.

Ndërkohë, prindërit plaken.

Fëmijët rriten.

Vëllezërit e motrat largohen.

Njerëzit që dikur ishin çdo ditë bashkë, bëhen pothuajse të huaj.

Dhe një ditë mund të ulemi vetëm dhe të pyesim veten:

“Për çfarë u zemëruam kaq shumë?”

Jeta është shumë e shkurtër për t’i mbajtur njerëzit e dashur larg për shkak të egos.

Jo çdo konflikt duhet të ketë një fitues.

Ndonjëherë fitorja më e madhe është të thuash:

“Më fal.”
“Më mungon.”
“Hajde të flasim.”
“Nuk dua të të humbas.”

Mos prisni gjithmonë që tjetri ta bëjë hapin e parë.

Ndoshta edhe ai po ju pret.

Një telefonatë sot mund të shpëtojë një marrëdhënie që nesër mund të mos ketë më mundësi të shpëtohet.

Nëse ke dikë me të cilin je larguar, por ende e ke në zemër, mos e lër krenarinë të flasë në vend të dashurisë.

Ndonjëherë një “si je?” është ura që na kthen te njerëzit tanë. /Telegrafi/