Projekti që pritet ta transformojë Kamenicën, nis procesi për Digën e Desivojcës
Komuna e Kamenicës ka njoftuar se ka nisur procesi i konsultimit publik për projektin e Digës Multifunksionale të Desivojcës, një prej investimeve strategjike që synon të përmirësojë furnizimin me ujë, zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen nga përmbytjet në Kamenicë dhe rajonin e Anamoravës.
Takimi i parë u mbajt në Qendrën e Komunitetit “Oda e Fshatit” në Shipashnicë të Epërme, në kuadër të procesit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), i organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes Projektit FLOWS.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertë të projektit, përfaqësues të Bankës Botërore, inxhinierë të hidroteknikës, si dhe qytetarë e palë të tjera të interesuara.
Kryetari Rahimaj e cilësoi Digën e Desivojcës si një nga projektet më kapitale për komunën, duke theksuar se pas shumë vitesh diskutimesh tashmë po shihen hapat konkretë drejt realizimit të saj.
“Ky projekt paraqet një moment të rëndësishëm për të ardhmen e komunës dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. Nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por një projekt që do të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e furnizimit me ujë, zhvillimin e bujqësisë dhe perspektivën ekonomike të Kamenicës”, ka deklaruar Rahimaj.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e institucioneve qendrore, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bankës Botërore dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre ka qenë vendimtar për avancimin e projektit.
Në emër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, këshilltarja Krenare Salihu tha se Diga e Desivojcës është një nga pesë digat multifunksionale që ministria po zhvillon me mbështetjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, duke nënvizuar rëndësinë e konsultimit publik në këtë proces.
Ndërsa, udhëheqësi i Ekipit për Menaxhimin e Projektit FLOWS, Vigan Syla, bëri të ditur se qëllimi i konsultimit është përfshirja e komunitetit në procesin e planifikimit, ndërsa theksoi se të gjitha komentet dhe rekomandimet e qytetarëve do të dokumentohen dhe do të merren parasysh gjatë fazave të ardhshme të projektit.
Sipas prezantimit teknik të bërë nga inxhinieri i hidroteknikës, Mumin Morina, diga synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për Kamenicën dhe zonat përreth deri në vitin 2050, ujitjen e rreth 2,500 hektarëve tokë bujqësore, mbrojtjen nga përmbytjet përgjatë lumenjve të Desivojcës dhe Moravës së Binçës, si dhe përfitime për komunat Kamenicë, Ranillug dhe Gjilan.
Komuna e Kamenicës bëri të ditur se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të Digës Multifunksionale të Desivojcës, projekt që pritet të ketë ndikim afatgjatë në sigurinë e furnizimit me ujë, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e rajonit të Anamoravës./Telegrafi/


