Presidenti iranian Pezeshkian: Po e përsëris, Irani nuk dëshiron të ndërtojë armë bërthamore
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka përsëritur deklaratën se Irani nuk dëshiron të ndërtojë armë bërthamore, ndërsa për paqëndrueshmërinë rajonale dhe vazhdimin e konflikteve e ka fajësuar drejtpërdrejt Izraelin.
Në komentet e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve ISNA, Pezeshkian është ndalur edhe te negociatat intensive që po zhvillohen me Shtetet e Bashkuara (SHBA), duke thënë se Teherani hyn në proceset diplomatike “me kokën lart”.
“Ne nuk përfshihemi në diplomaci me poshtërim. Nëse përballemi me fuqinë më të madhe në botë, duhet të pranojmë vështirësitë. Nuk mund të luftojmë dhe të presim që procesi të jetë normal si më parë”, deklaroi Pezeshkian, duke shtuar se negociatorët iranianë kurrë nuk do të bëjnë kompromis kur bëhet fjalë për nderin dhe dinjitetin e shtetit, shkruan msn.
Duke folur gjatë një vizite në transmetuesin shtetëror (IRIB), Pezeshkian theksoi se Teherani zyrtar është në çdo moment i gatshëm t’i ofrojë garanci bashkësisë ndërkombëtare se programi i tyre bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.
“E kemi thënë edhe më parë, dhe e përsërisim edhe sot – jemi të gatshëm ta bindim botën se nuk kërkojmë armë bërthamore dhe as nuk duam trazira në rajon. Është regjimi izraelit ai që përdor çdo mundësi për të mbajtur gjallë luftën dhe paqëndrueshmërinë, duke synuar realizimin e idesë së ‘Izraelit të Madh’,” tha ai.
Këto mesazhe nga Teherani vijnë në një moment kyç gjeopolitik, pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump se një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund armiqësive është kryesisht e dakorduar dhe pritet finalizimi i saj.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një serie sulmesh ushtarake midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, gjë që më herët ka çuar edhe në mbylljen e përkohshme të ngushticës strategjike të Ngushticës së Hormuzit. /Telegrafi/


