Please enter at least 3 characters.

Presidenti dhe neni 88 i Kushtetutës

Domethënia apo kuptimi i drejtë i dispozitës juridike, rezulton pas shqyrtimeve profesionale, të përgjithshme dhe te gjithanshme, e jo kuptimi qe u përshtatet individëve te caktuar, sipas interesit te tyre. Në këtë kuadër nga këndi profesional, do t’i jap shpjegimet e mia, rreth sqarimit te çështjes, se a e obligon Kushtetuta e Kosovës, Presidentin e Republikës së Kosovës, te jap dorëheqje nga kryetari i partisë.

Nëse e kundrojmë me vëmendje dispozitën kushtetuese te nenit 88 paragrafi 2 te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, po e citoj: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”, shihet se ajo i kërkon Presidentit, ndalimin e ushtrimit, të funksionit në parti politike, mirëpo ajo assesi nuk e obligon Presidentin të jap dorëheqje formale nga funksioni në parti politike. Ne anën tjetër, Presidenti edhe mund të jap dorëheqje nga funksioni partiak, por vetëm si akt i vullnetit të lirë te Tij, e assesi si obligim kushtetues. Po që se i vështrojmë ingerencat e gjëra kushtetuese të Presidentit së Republikës së Kosovës, mund të konkludojmë se qëllimi i kushtetutevenësit ka qenë, që vendi te këtë një President te fuqishëm politik, por Ai (Presidenti) personalisht te mos jetë aktiv në ushtrimin e funksionit në parti politike. Sepse ne një situatë tjetër, do të kishim një institucion jetik kushtetues, jofunksional. Andaj besoj fuqishëm qe edhe Gjykata Kushtetuese do të jap vlerësimin e saj, në këtë drejtim. Pra, veprimi i Presidentit për pezullimin e aktivitetit në ushtrimin e detyrës se kryetarit te partisë, e përmbush obligimin kushtetues, për sa i përket kësaj çështjeje.

Ne rastin tjetër çfarë do te kishte kuptim, nëse Presidenti, do te jepte edhe dorëheqje formale nga kryetari i partisë, ndërsa ne anën tjetër gjendja faktike te ishte krejt ndryshe. Janë veprimet faktike te Presidentit te Republikës qe duhet te vlerësohen se a janë në pajtim me paragrafin 2 te nenit 88 te Kushtetutës, e jo edhe dorëheqja formale, p.sh. do te ishte shkelje e kushtetutës ne rast se do te kishim një President, i cili do te merrte pjesë në forume te ndryshme te partisë politike apo ne kuadër te kompetencave te Tij do te merrte vendime qe i shkojnë në favor të partisë nga Ai aderon, e tjera e tjera.

Nëse e bëjmë një krahasim me Republikën e Shqipërisë, lidhur me çështjen identike, ekziston dallueshmëri esenciale, ngase neni 89 i Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë, e definon kësisoj, po e citoj: “Presidenti i Republikës nuk mund te mbajë asnjë detyre tjetër publike, nuk mund te jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Kushtetuta e Republikës se Shqipërisë, është më e prerë në këtë aspekt, ngase ajo i ndalon Presidentit te Republikës së Shqipërisë, te jetë edhe anëtar i ndonjë partie politike, çka me automatizëm nënkuptojmë se Ai nuk mund te jetë në asnjë funksion partiak, (sepse për te qenë ne ndonjë funksion partiak, se pari duhet te jesh anëtar i partisë), gjersa me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, Presidentit te Republikës se Kosovës nuk i ndalohet të jetë anëtar i ndonjë partie politike. Pra është, edhe ky fakt qe forcon argumentin se Presidenti, nuk është i obliguar me kushtetutë, te jep dorëheqje formale nga asnjë funksion partiak, por vetëm ndalimi i ushtrimit të funksionit, për aq kohë sa është në detyrën e të parit të vendit.

(Autori vijon studimet Post-Diplomike në Fakultetin Juridik të UP-së, drejtimi - Kushtetues/Administrativ)