Please enter at least 3 characters.

Policia në Rajonin e Ferizajt shqiptoi 1,699 gjoba brenda një jave

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, duke shqiptuar 1,699 gjoba kundërvajtëse dhe pezulluar 36 patentë shoferë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë periudhës 20–26 korrik 2026 janë regjistruar gjithsej 63 aksidente trafiku.

Prej tyre, 25 aksidente kanë qenë me lëndime trupore, ku janë lënduar 36 persona, ndërsa 38 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital "Lajmëro Policinë" ose duke telefonuar në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/