Policia në Prizren brenda dy ditësh sekuestron 35 motoçikleta dhe gjobit mbi 100 motoristë kundërvajtës
Zyrtarët policorë nga Stacioni në Prizren kanë ndërmarrë një aksion të shtuar kontrolli ndaj ngasësve të motoçikletave dhe trotineteve elektrikë, pas rritjes së numrit të mjeteve të këtij lloji në komunikacion dhe shkeljeve të shpeshta të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Stacioni Policor në Prizren ka hartuar dhe zbatuar një plan operativ me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe ndëshkimit të kundërvajtjeve që rrezikojnë pjesëmarrësit në rrugë.
“Gjatë këtyre dy ditëve janë shqiptuar shumë gjoba dhe janë sekuestruar disa motoçikleta. Konkretisht janë sekuestruar gjithsej 35 motoçikleta dhe janë shqiptuar rreth 101 gjoba për kundërvajtje të ndryshme kundër ngasësve të motoçikletave dhe trotineteve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
Policia ka rikujtuar se të gjithë ngasësit e motoçikletave, mopedëve dhe trotineteve elektrikë janë pjesëmarrës të barabartë në komunikacion dhe se obligohen ti respektojnë ligjet në fuqi.
Ndër detyrimet kryesore janë theksuar regjistrimi dhe doganimi i mjeteve; vendosja e targave në mënyrë të dukshme; pajisja me patentë shoferi për kategorinë përkatëse; përdorimi i helmetës nga ngasësi dhe pasagjeri; respektimi i shenjave dhe rregullave të komunikacionit, raporton Telegrafi.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të normave ligjore nga të gjithë ngasësit, për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar sigurinë publike në rrugët e qytetit. /Telegrafi/


