Policia në Ferizaj shqiptoi 1,753 gjoba në prill për tejkalim të shpejtësisë
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit prill 2026 ka shqiptuar gjithsej 1,753 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara.
Sipas komunikatës për media, aktiviteti është realizuar në kuadër të projekt-fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton: “Mos e mat jetën me kilometra në orë.”
Policia ka apeluar te drejtuesit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës, duke theksuar se shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
“Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”, thuhet në komunikatë.
Policia Rajonale e Ferizajt ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka theksuar se të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/


