Policia e Rajonit të Gjilanit shqipton 1,795 gjoba brenda një jave, 58 shoferëve u ndalohet drejtimi i mjeteve
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 15-21 maj 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë shqiptuar gjithsej 1,795 gjoba.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 19 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 10 aksidente me të lënduar.
Po ashtu, policia bën të ditur se në kuadër të aktiviteteve janë shqiptuar 13 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 9 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 31 gjoba për modifikim të automjetit, përkatësisht për vendosje të folieve të errëta.
“Shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për pesëdhjetë e tetë (58) ngasës”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar edhe te këmbësorët që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit të rrugës, duke theksuar se përdorimi i telefonit mobil, dëgjueseve në vesh, mosrespektimi i semaforëve apo kalimi jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë janë shkelje që sanksionohen sipas ligjit. /Telegrafi/


