Plisat pro Prishtinës, kundër Kosovës
Stadiumi i qytetit në Prishtinë këtë fundjavë do të jenë arenë e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Më 6 shtator do të zhvillohet ndeshja mes Prishtinës dhe skuadrës turke, Sivaspor, derisa një ditë më vonë Kosova do përballet me Omanin.
Tifozët prishtinas ‘Plisat’ janë të ndarë në dysh sa i përket këtyre ndeshjeve. Ata do të përkrahin skuadrën e zemrës, Prishtinën, kurse Përfaqësuesen e Kosovës e injorojnë totalisht, dhe njohin vetëm Kombëtaren shqiptare.
Atmosferë spektakolare
Kryetari i ‘Plisave’, Albert Kastrati është duke pritur me padurim ndeshjen me Sivasporin. “Është një ndeshje ndërkombëtare, shumë e rëndësishme për klubin tonë dhe për ne. Do të mundohemi të organizojmë atmosferë spektakolare, ashtu siç kemi bërë më herët. Do të përkrahim në mënyrë masovike Prishtinën të shtunën”, deklaroi Kastrati për ‘Sport Plus’.
Sipas tij pritet të ketë edhe koreografi. “Edhe pse është kohë e shkurtë do të ketë koreografi nga ‘Plisat’. Ashtu siç e kemi përkrahur Prishtinën në basketboll, ashtu do ta përkrahim edhe në futboll, madje edhe në numër më të madh. Është kënaqësi për neve të shohim edhe trajnerin e Sivasporit, Roberto Carlos, i cili është një legjendë e futbollit botëror. Besoj se do të ketë shumë shikues atë ditë”, ka thënë më tej kryetari i ‘Plisave’.
Deri në katër mijë ‘Plisa’
Tifozët prishtinas nuk kanë marrëdhënie të mira kryesinë e FC Prishtinës, duke deklaruar hapur kundër Presidentit Remzi Ejupi dhe nënkryetarit Afrim Muçiqi, por që nuk do të ndikojë në këtë ndeshje. “Nuk do të ndikojë. ‘Plisat’ askush nuk mund t’i ndalë të përcjellin Prishtinën në stadiumin e saj. Ne kemi përkrahur Prishtinën në ndeshjen kundër Istogut e Trepçës ’89 dhe do ta përkrahim ndaj Feronikelit. Për takimin ndaj Sivasporit as që bëhet fjalë që do të jemi në stadium në numër sa më të madh. Pritet që deri në katër mijë ‘plisa’ të jenë në këtë ndeshje. Do të mundohemi të lëmë përshtypje të mirë edhe për skuadrën mysafire”, theksoi më tej prijësi i ‘Plisave’ i njohur me nofkën ‘Tigri’.
Injorojnë Kosovën
Por, vetëm një ditë më vonë do të zhvillohet ndeshja mes Përfaqësues së Kosovës dhe Omanit. Për Kosovën do të jetë hera e parë që luan në Prishtinë. ‘Plisat’ nuk do të shkojnë në këtë ndeshje. “Ne nuk do ta përkrahim Kosovën dhe nuk e njohim Përfaqësuesen e Kosovës dhe e përkrahim vetëm Kombëtaren shqiptare. Por, edhe ata që shkojnë të përkrahin Kosovën besoj se do të shkojnë me flamur kombëtar”, nënvizoi Albert Kastrati. Kosova deri më tani i ka zhvilluar tri ndeshje miqësore pas janarit. Fillimisht Kosova barazoi pa gola me Haitin në Mitrovicë, pastaj u mposhtë nga Turqia 6:1 po ashtu në Mitrovicë, si dhe humbi nga Senegali 3:1 në Gjenevë të Zvicrës.
Përkrahin Shqipërinë
‘Plisat’ janë duke u përgatitur për ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare si vendas. Shqipëria më 7 shtator do të jetë mysafire e Portugalisë, kurse më 11 tetor do të ndeshet me Danimarkën në Elbasan. “Ne do të shkojmë të përkrahim Shqipërinë në garat për eliminatoret e ‘Euro 2016’. Besoj se rreth 400 ‘Plisa’ do të jenë në atë ndeshje. Edhe në përballjet tjera do ta përkrahim Shqipërinë, ashtu siç e kemi pritur deri më tani”, përfundoi Albert Kastrati.
‘Plisat’ njihen si njëra nga tifozeritë më besnike të Kombëtares shqiptare në futboll, duke e përkrahur jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Tifozët prishtinas nuk e njohin Përfaqësuesen e Kosovës dhe disa herë kanë qenë kundër. Madje, ata nuk përkrahin as lojtarët që zgjedhin kombëtaret tjera të luajnë. /Telegrafi/


