Plagoset rëndë në Moskë gjenerali i lartë rus - aleati i Putinit
Zyrtari i lartë ushtarak rus, gjeneral-kolonel, Vladimir Alekseyev, është dërguar urgjentisht në spital pas një sulmi me armë zjarri në Moskë.
Aleksejev mban postin e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, duke e bërë atë një nga figurat më të rëndësishme në strukturat ushtarake të vendit, raporton theguardian.
Ai njihet për rolin e tij kyç në krizën e qershorit 2023, kur shefi rus i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, organizoi një kryengritje të shkurtër kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Alekseyev ishte një nga zyrtarët e lartë të dërguar për të negociuar me Prigozhin dhe për të qetësuar situatën, duke treguar kështu rëndësinë strategjike të tij në skenën ushtarake dhe politike të Rusisë.
Identiteti i sulmuesit mbetet i panjohur, ndërsa autoritetet po zhvillojnë një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, duke marrë parasysh se disa zyrtarë të lartë ushtarakë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe qeveria e Moskës vazhdon t’i fajësojë autoritetet e Kievit për disa nga këto sulme.
Ky incident vjen në një kohë të tensionuar për strukturat e larta ushtarake të Rusisë, duke nënvizuar rreziqet e brendshme dhe pasigurinë në mesin e elitës ushtarake të vendit, që është gjithmonë në shënjestër të intrigave dhe konfliktit të brendshëm. /Telegrafi/


