Pit Power Liga Ferizaj: 1000 shikues në derbi
SUPERLIGA
Ndeshja e shumëpritur mes Unioni SHPK dhe BBF Company tërhoqi vëmendjen e afro 1000 tifozëve në fushën Kampioni që në këtë ndeshje ishte e stërmbushur. E para në epërsi kaloi BBF Company me Sherif Topallin, ndërsa pas disa gabimeve në mbrojtje, Unioni SHPK rikthehet nga disavantazhi me golat e Ylber Ramadanit dhe Egzon Shabanit për rezultatin 2-1 të pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë rastet nuk munguan nga të dy skuadrat, ndërsa ishte Unioni SHPK që menaxhonte mjaft mirë takimin, pasi kishte edhe epërsinë në favor të vet dhe ndëshkonte mjaft mirë përmes Ylber Ramadanit, i cili arriti të shënonte edhe dy gola të tjerë, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Getart Hyseni për Unionin dhe Hyzri Shatrolli për BBF-në. Unioni SHPK 5-2 BBF Company ishte rezultati përfundimtar i kësaj supersfide, ndërsa pas ndeshjes, lojtarët ia zgjaten duart njëri-tjetrit duke treguar respekt dhe sjellje korrekte.
Takime interesante ishin edhe ato mes Eskavatorit dhe Lloshkobarja & Kosova Term e cila u mbyll me fitoren e Eskavatorit me rezultat 5-4, ndërsa Arxhendi & Brendi Company arriti një fitore solide ndaj Guackes 4-0 duke vazhduar për ta ndjekur ëndrrën e kurorëzimit me titullin kampion. Alban Iballi dhe Shpejtim Muhaxheri realizuan nga dy gola për këtë fitore që e mban edhe më tutje lider të padiskutueshëm në pozitën e parë.
Pikë maksimale arritën edhe Dental & Palloshi Trade që mposhtën United dhe kështu vazhdojnë të mbajnë shpresa për titull deri në fund, ndërsa Vetëvendosje, Termo dhe Maestro arritën fitore të rëndësishme për mbijetesë.
LIGA E PARË
Në Ligën e Parë tashmë kampioni dihet prej kohesh (Fabefa Doganaj), ndërsa mbetet e hapur lufta për ndeshjet e Play-Off që dërgojnë në Superligë. Gama dhe Balaj arritën fitore të lehta në përballjet e parafundit për këtë sezon, ndërsa Pleshina vuajti ndaj Qendrimit por serish doli e kënaqur në fund pasi fitoi me rezultat 7-6.
Fitore të rëndësishme arriti Al-Beni Plast të cilët mposhten Te Iriqin dhe kështu siguruan mbijetesën në Ligën e Parë, ndërsa Colo Colo dhe Shkendija zunë pozitat 17 dhe 18 , dhe tani do luajnë në ndeshjet e Play-Out-it për të shpresuar qëndrimin në këtë kategori. Intergraf dhe Albionet janë skuadrat që sezonin tjetër do garojnë në Ligën e Dytë.
LIGA 2A DHE 2B
Në Grupin A, Sprint edhe zyrtarisht është kampion pas fitores 3-0 ndaj One, pasi qe kundërshtari i saj direkt Te Luzha pësoi humbje 2-3 nga Doni Fruits. Sprint rikthehet serish në Ligën e Parë ku luajti një sezon me parë, ndërsa Te Luzha shpreson të arrijë në këtë kategori pas ndeshjeve të play-offit. Rinia dhe Reklama Krosa kanë barazuar 2-2 në një ndeshje atraktive dhe shumë të rëndësishme njëkohësisht. Dy skuadrat kërkonin fitoren për të siguruar një nga pesë pozitat e para në tabelë, ndërsa në fund barazimi ndoshta ishte rezultati me i drejtë në këtë përballje. Fitoren e pestë sezonale e arriti edhe KS Model që mposhti 6-3 Surqinen, ndërsa me rezultat të njëjtë fitoi edhe Akademia ndaj PurePower.
Kampioni është percaktuar edhe në Grupin B e ai është FC Qielli. Skuadra e Sherif Hoxhes me plotë meritë arriti të shpallej kampion, sidomos pas paraqitjes fenomenale që bëri ndaj Gerlices javë më parë, ndërsa në xhiron e 16-të fitoi 6-4 ndaj Elsam Company.Në anen tjetër Gerlica pësoi edhe humbjen e dytë radhazi, kësaj here nga IKS Comunication që arriti ta mposhtë me rezultat të ngushtë 2-1. Fitore të rëndësishme arriti edhe Greme që mundi Bardhin 4-1, ndërsa Sparta fitoi 3-2 ndaj Norodimes në një ndeshje mes skuadrave të mesit të tabelës. /Telegrafi/


