Please enter at least 3 characters.

Pirlo shpërthen ndaj Italisë: Është një katastrofë e vërtetë, por e meritojmë mospjesëmarrjen në Botëror

Andrea Pirlo ka kritikuar ashpër gjendjen e futbollit italian, duke e cilësuar si "një katastrofë" dështimin e Italisë për t'u kualifikuar në tri Kupat e Botës radhazi.

Legjenda e Milanit dhe Juventusit, i cili aktualisht është trajner në Emiratet e Bashkuara Arabe, foli për Daily Mail, ndërsa deklaratat e tij u përcollën edhe nga Tuttosport.

“Fatkeqësisht, është një periudhë shumë e vështirë për të kaltërit. Kemi humbur tri Kupa të Botës radhazi. Është një katastrofë e vërtetë”.

“Nuk është e lehtë për ne, por kjo është ajo që meritojmë, duke parë se çfarë jemi bërë. Mendoj se duhet të përgatitemi për të ardhmen, të përgatitemi për t'u kualifikuar në Euro 2028 dhe më pas, shpresojmë, në Kupën e ardhshme të Botës”.

Kampioni i botës me Italinë në vitin 2006 u pyet edhe për mundësinë që një ditë të bëhet trajner i Milanit, klub me të cilin fitoi pothuajse gjithçka si futbollist.

“Unë trajner i Milanit? Mendoj se ata kanë objektiva të tjera tani. Duhet të nisin gjithçka nga e para, sepse nuk mund të mos luajnë në Ligën e Kampionëve”.

“Duhet të mendojnë seriozisht se si ta rinovojnë skuadrën dhe të nisin një cikël të ri, të fillojnë gjithçka nga e para”.

Sa i përket favoritëve për ta fituar Kupën e Botës 2026, Pirlo veçoi tri kombëtare.

“Mendoj se Franca, Spanja dhe Portugalia janë favoritët kryesorë. Më pas mund të ketë surpriza, por besoj se Franca i ka shanset më të mëdha. Megjithatë, futbolli është një sport i çuditshëm, kështu që nuk i dihet kurrë”.

Në fund, Pirlo refuzoi të zgjidhte mes Alessandro Del Piero dhe Francesco Tottit, dy prej ikonave më të mëdha të futbollit italian.

“Janë dy futbollistë vërtet të mëdhenj. Nuk dua të zgjedh. I zgjedh të dy. Të dy janë fantastikë”, përfundoi Pirlo./Telegrafi/