Please enter at least 3 characters.

Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të, Abdixhiku: Pika më e ultë e relacioneve me aleatin tonë strategjik

Lumir Abdixhiku LDK konference foto Ridvan Slivova 5 e1687118132801
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se SHBA ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Referuar deklaratës së Ambasadës veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

E pas këtij lajmi, ka reaguar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili theksoi se suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin strategjik dhe ekzistencial, si shtet i pavarur e sovran.

Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:

Të dashur qytetarë,

Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran.

Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.

Populli i Kosovës nuk është si ta.

Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta.

Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë - para se të bëhet vonë për të gjithë.

LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.

Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!. /Telegrafi/