Përurohet rruga Qafë Duhël – Topillë – Grajqevc – Papaz
Ka përfunduar dhe është përuruar rruga Qafë Duhël – Topillë – Grajqevc – Papaz, një projekt infrastrukturor i rëndësishëm me gjatësi mbi 8 kilometra dhe një kosto mbi 1 milion euro, i financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Shtimes.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të banorëve.
“Jemi mbledhur këtu për të festuar përfundimin e një rruge shumë të pritur, që lidh fshatin Topillë me Petrovën dhe gjithë komunën. Pas pritjes së gjatë, rruga u realizua brenda 8 muajsh. Falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunimin, sepse kjo rrugë do të nxisë zhvillimin ekonomik, agroturizmin dhe blegtorinë në zonë”, tha kryetari Aliu, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, Musli Haziri, përfaqësues i lagjeve të Topillës, vlerësoi ndikimin e rrugës për banorët.
“Kjo rrugë ka qenë një ëndërr dhe nevojë e kahmotshme për ne. Tashmë ajo është përfunduar dhe do të shfrytëzohet nga brezat e ardhshëm”, tha Haziri.
Përfundimi i këtij projekti do të përmirësojë lidhjen ndërfshatare, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe turistik në pjesën e Malësisë së Komunës së Shtimes. /Telegrafi/


