Përsëri dhunë, hendbollistët e Prishtinës sulmohen në Gjakovë (Foto)
Nuk kaluan as katër ditë nga incidenti i tmerrshëm në Mitrovicë, ku tifozët e Torcidave sulmuan Plisat në stadium dhe përsëri u kthye dhuna në sportin vendor. Kësaj radhe, ishin hendbollistët e Prishtinës ata që pësuan nga tifozët e Vëllaznimit.
Përderisa KH Prishtina ishte duke e fituar ndeshjen ndaj vendasve me rezultat 35:17, tifozët e Vëllaznimit filluan të hedhin gjësende në fushë e më pastaj u futën në parket për ti sulmuar lojtarët fizikisht. Gjyqtarët e ndeshjes e ndërprenë ndeshjen menjëherë dhe situata u qetësua vetëm me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.
Një burim nga kryesia e klubit ka deklaruar për Telegrafin se po të mos ishin Policia e Kosovës ata do të e pësonin shumë keq. “Na ka shpëtuar Policia e Kosovës, se po të mos ishin ata do të pësonim shumë keq. Policia na ka përcjellë deri në gjysmë të rrugës për Prishtinë dhe ne i falënderojmë shumë për këtë”, thotë burimi në kushte anonimiteti. /Telegrafi/


