Please enter at least 3 characters.

Përfundoi raundi i tretë i negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë - çfarë u ra dakord mes palëve në Stamboll?

Ukraina dhe Rusia kanë përmbyllur një raund të ri negociatash në Stamboll, Turqi ku palët shfaqën sinjale të qarta të gatishmërisë për hapa konkrete drejt qetësimit të situatës në front.

Sipas burimeve zyrtare, delegacioni ukrainas propozoi organizimin e një takimi të nivelit të lartë mes liderëve të vendeve përkatëse, me pjesëmarrjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili aktualisht ka një rol aktiv në ndërmjetësim. Takimi synohet të zhvillohet deri në fund të muajit gusht.

Ukraina ka deklaruar se është e gatshme për një armëpushim të përkohshëm, me theks të veçantë në ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe civile.

Ky hap shihet si një përpjekje për të lehtësuar vuajtjet humanitare dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Nga ana tjetër, pala ruse ka rënë dakord për rikthimin e personave që kanë qenë në robëri për më shumë se tre vjet. Gjithashtu është arritur marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, jo vetëm të personelit ushtarak, por edhe civilët.

Në një deklaratë për media, negociatori rus, Vladimir Medinsky bëri të ditur se Moska ka propozuar rikthimin e pauzave humanitare të përkohshme përgjatë vijës së frontit, për të mundësuar ndihma dhe evakuime.

Pikat e propozuara nga palët

Rusia dhe Ukraina do të shkëmbejnë 1,200 ushtarë sipas marrëveshjeve të mëparshme të arritura në Stamboll, ka deklaruar kreu i delegacionit rus, Medinsky.

Rusia i ka propozuar Ukrainës të mbajë armëpushime 24 ose 48-orëshe për të evakuuar të plagosurit dhe për të rikuperuar trupat e ushtarëve të rënë, sipas Medinskyt.

Ukraina nuk ka asnjë parakusht për të shpallur një armëpushim, ka deklaruar një anëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet e paqes në Stamboll.

Rusia i ka kthyer Ukrainës trupat e 7000 ushtarëve të rënë dhe është e gatshme të kthejë edhe 3000 të tjerë, ka thënë kreu i delegacionit rus, Medinsky.

Rusia i ka propozuar Ukrainës krijimin e 3 grupeve pune që do të funksionojnë online, dhe do të merren me çështje politike, humanitare dhe ushtarake, sipas Medinskyt.

Negociatat e Stambollit janë parë me optimizëm të kujdesshëm nga analistët ndërkombëtarë, teksa mbetet për t’u parë nëse do të konkretizohen në hapa të prekshëm drejt paqes. /Telegrafi/