Për Kosovën ka kush kujdeset
Drama në të cilën hynë marrëdhëniet në mes Maqedonisë dhe Kosovës, me refuzimin që Presidenti kosovar ia bëri ftesës për vizitë në Shkup, mori një zhvillim tjetër. U ndryshuan rolet dhe u qartësua storja për ata, që pjesën e parë nuk arritën ta kuptojnë - mosftesa në inaugurimin e Ivanovit dhe urtësia e Presidentit kosovar se si e pranoi dhe shfrytëzoi këtë.
"Heroi" i ngjarjes është përsëri Sejdiu, por kësaj radhe i paraqitur në dritë të plotë dhe me të gjithë shkëlqimin e tij, duke mos lënë vend për të spekuluar mbi aftësitë e tij si President e duke i heshtur të gjithë ata, që hidhnin gurë mbi të e që pandehnin se shteti duhet udhëhequr sikur të është ndërmarrje private. Atij madje, sot do t'ia kishin zili edhe diplomatët romak, si të parët që njihen në historinë botërore të diplomacisë. Dhe po kjo duhet të jetë objekt i analizimit nga diplomatët dhe nga shkenca e diplomacisë, megjithëkëtë, unë nuk do të privohem nga e drejta të hedhë në letër edhe njëherë pikëpamjet e mia mbi këtë fazë të re të marrëdhënieve në mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Nëse reagimi i heshtur i Presidentit Sejdiu në rastin e mosftuarjes së tij në inaugurim, dëshmoi se Kosova ka kapacitet për të ruajtur stabilitetin rajonal, duke mos u implikuar në (dhe komplikuar) marrëdhëniet e Maqedonisë dhe Serbisë, kësaj radhe reagimi i zëshëm i Sejdiut (dhe komod, për shkak se tani kemi të bëjmë me raport bilateral, pa mos implikuar palë të treta), dëshmoi se Kosova ka rol të faktorit rajonal, i cili duhet të respektohet në mënyrë të denjë.
Por, ky veprim i Sejdiut bartë edhe disa mesazhe të tjera, që do t'i sikletojë autoritetet e Shkupit zyrtar, por edhe të gjitha qarqet tjera që dyshojnë në etatizmin e Kosovës: Kosova i tha "jo" fqinjësisë jo të sinqertë dhe mohoi të jetë objekt i manipulimit të brendshëm (ndaj shqiptarëve të Maqedonisë) dhe të jashtëm (ndaj Serbisë); demonstroi në mes tjerash se është shtet me kapacitet të lartë diplomatik dhe politik dhe për këtë shkak ajo duhet të jetë respektabile; paralajmëroi se mund të ndryshojë kursin e politikës ekonomike, sidomos pas hapjes së Rrugës së Re në qershor që lidh Kosovën dhe Shqipërinë; paralajmëroi se nuk do të heshtë dhe do t'i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat diplomatike në rast të cenimit të interesit shtetëror të Kosovës, duke përkujtuar se ajo është subjekt në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jo objekt; nxori në pah kursin proserb të politikës së jashtme të Maqedonisë dhe inferioritetin dhe impotencën e faktorit politik shqiptar që vepron në të, dhe së fundmi, i dëshmoi Serbisë se Kosova ngadalë, por sigurt, po merr pozita superiore në konstelacionet rajonale, madje, ndonjë ditë, edhe kundrejt vetë Serbisë.
Presidenti Sejdiu me këtë rast na ligjëroi të gjithëve një leksion mbi mënyrën se si duhet udhëhequr Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare: jo gjithçka duhet thënë në momente të caktuara (jo ashtu sikurse kërkonin opinion-bërësit impulsiv në rastin e ftesës) dhe jo asgjë duhet bërë në situata të caktuara (ashtu sikurse veproi në këtë rast Presidenti Sejdiu).
Në koherencë me artikullin e kaluar, me titull "Asgjë hiç nuk paskemi bërë", ndjej nevojë (dhe ky është rast ideal) të elaboroj tezën se debati i ftesës së Sejdiut në Maqedoni, duhej menjëherë të kthehet në debatin e problemeve esenciale të shqiptarëve dhe t'i iket mjegullisë, e cila u shfrytëzua që gabimisht të identifikohet fajtori i vetëm në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë. Aq shumë iu zu për të madhe Demokracisë së Re për pjesëmarrjen e saj në inaugurim pa praninë e Presidentit Sejdiu, saqë në anën tjetër u harrua fakti kyç se Bashkimi Demokratik për Integrim është ajo që zgjodhi dhe legjitimoi Presidentin e tanishëm të RM-së, miratoi uljen e censusit të zgjedhjes së Presidentit të shtetit dhe defaktorizoi shqiptarët, bëri lëshime historike në çështjet kruciale të shqiptarëve, siç është gjuha, flamuri, organizimi territorial etj.
Jorastësisht, sugjerova që kritikat ndaj partive shqiptare, të bëhen për shkak të politikës shpërfillëse dhe me nota antishqiptare të kryetarit të sapozgjedhur, Ivanov (pasi kështu identifikohet fajtori kryesor dhe kjo është BDI) dhe jo për shkak të ftesës së Sejdiut, që unë personalisht i kuptoj si mungesë të besimit të vetë shqiptarëve në kapacitetet shtetërore të Kosovës për të reaguar dhe për të vepruar në këso situata.
Kosova dëshmoi në këtë rast se është e aftë të mbrojë interesat e saj, ndërsa partitë shqiptare në Maqedoni, nuk duhet të mbulojnë dështimet e tyre me zhurmën supersonike për ndonjë lëshim ose ekses në raportet me Kosovën (nëse nuk janë të afta t'i evitojnë të njëjtat, pse ka nevojë nga e gjithë ajo zhurmë).
Partitë shqiptare, duhet të punojnë në funksion të përmirësimit të gjendjes aktuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo të shterin zërin (por jo edhe të heshtin plotësisht) për ndonjë veprim apo mosveprim ndaj Kosovës. Kosova është sapo e lindur (just born), por kjo nuk do të thotë se ka nevojë për "ndihmën" morale të partive që kanë dështuar në çështjet esenciale që tangojnë shqiptarët e Maqedonisë. Shuplaka e Sejdiut godet edhe ato, duke u dërguar mesazh të qartë: shikoni punën e juaj, se për Kosovën, ka kush kujdeset!


