Please enter at least 3 characters.

Peja pret Evropianin e Femrave, Kuka bën thirrje për mbështetje masive të Kosovës

Kryemjeshtri i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka ftuar qytetarët që të përkrahin sa më shumë Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll për femra në prag të ‘FIBA Women's European Championship for Small Countries 2026’, që do të zhvillohet në Pejë nga 23 deri më 28 qershor.

Në një videomesazh motivues, Kuka u ka bërë thirrje tifozëve që të mbushin palestrën “Karagaç” dhe të jenë pranë vajzave të Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

“I kisha ftuar të gjithë qytetarët e Pejës që basketbollin e vajzave ta përkrahin kësaj radhe sepse gara është e nivelit jashtëzakonisht shumë të lartë dhe ju urojmë vajzave sukses”, është mesazhi kryesor i legjendës së xhudos kosovare.

Kampionati Evropian për Shtetet e Vogla do të mbahet në Pejë, me ndeshjet që do të zhvillohen në palestrën sportive “Karagaç”, ndërsa Kosova do të synojë një paraqitje sa më të suksesshme para tifozëve të saj. /Telegrafi/