Please enter at least 3 characters.

Pediatria në Spitalin e Mitrovicës, mbi 1,100 fëmijë të hospitalizuar gjatë vitit 2025

Pediatria, si një nga fushat më të ndjeshme të mjekësisë, vazhdon të jetë prioritet në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Sipas njoftimit të spitalit, objekti i ri dhe hapësirat moderne të Repartit të Pediatrisë kanë krijuar kushte optimale për punën e stafit mjekësor.

Ky investim ka lehtësuar proceset e punës për mjekët specialistë dhe infermierët, si dhe ka ndikuar në rritjen e vëllimit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët më të vegjël.

Gjatë vitit 2025, përkushtimi i stafit është reflektuar edhe në numrin e lartë të shërbimeve të ofruara. Në këtë repart janë hospitalizuar gjithsej 1,167 fëmijë, të cilët kanë marrë trajtim spitalor për shqetësime të ndryshme shëndetësore, ndërsa janë realizuar 40,174 vizita ambulantore pediatrike.

Reparti i Pediatrisë mbetet pikë kyçe e referimit për rajonin e Mitrovicës dhe vazhdon të jetë adresa kryesore për trajtimin dhe shërimin e fëmijëve, duke garantuar shërbime profesionale dhe cilësore në fushën e shëndetësisë pediatrike. /Telegrafi/