Pasi u transferua te Chelsea, Rogers tallet me tifozët e Arsenalit
Ylli i Kombëtares së Anglisë, Morgan Rogers, ka nisur rivalitetin me tifozët e Arsenalit që në ditën e parë si futbollist i Chelseat, pasi të martën në mbrëmje u zyrtarizua transferimi i tij nga Aston Villa.
Chelsea konfirmoi në faqen zyrtare se 23-vjeçari ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në "Stamford Bridge" deri në vitin 2033. Ai do t'i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso për përgatitjet e sezonit të ri.
Sipas disa mediave angleze, marrëveshja kap vlerën e 138 milionë eurove, duke u bërë transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e Ligës Premier, pas kalimit të Alexander Isakut nga Newcastle United te Liverpooli për 125 milionë euro verën e kaluar.
Arsenali ishte një nga klubet më të interesuara për Rogersin dhe bëri përpjekje serioze për ta transferuar gjatë këtij afati kalimtar veror, por në fund Chelsea ndërhyri dhe siguroi firmën e tij.
"Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Për mua, Chelsea është klubi më i madh në Londër dhe e kam admiruar gjithmonë që nga fëmijëria."
Kjo deklaratë pritet të shkaktojë reagime te tifozët e Arsenalit, pasi rivaliteti mes dy klubeve londineze për statusin e "klubit më të madh të kryeqytetit" ka qenë gjithmonë i fortë.
"Jam shumë i emocionuar për projektin me trajnerin e ri, për lojtarët që kemi dhe drejtimin që po merr klubi. Pikërisht për këtë arsye jam këtu dhe mezi pres të nis punën", shtoi ai.
Rogers ishte pjesë e Kombëtares së Anglisë që e përfundoi Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë, turne i cili u mbyll të dielën me Spanjën që u shpall kampione e botës./Telegrafi/


