Pasi dështoi shpërndarja e Kuvendit, deputetët e PDK-së e quajnë Kurtin "mjeshtër të mashtrimit"
Ideja e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës sot u shpall e “vdekur” nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj, e quajti kryeministrin Albin Kurti mashtrues, derisa e thumboi edhe partinë tjetër opozitare LDK-në.
“Jam i sigurt nuk i ka pasur votat, një manipulim i Kurtit, i cili njihet si mjeshtër i manipulimit për çdo gjë. Ka qenë që në fillim një farsë, e ka ditë që opozita nuk është e bashkuar, ka pas shenja më herët, kemi pasur shembuj kur partitë opozitare nuk kanë qenë unike, ka qenë rasti për Valdete Dakën, nau kanë dashur nënshkrimet për Kushtetuese, nuk i kemi marrë nga LDK. Për Blerim Isufajn prapë nuk i kemi marrë nënshkrimet nga LDK”, tha Qalaj në Debat Plus të RTV Dukagjini.
Deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se Kurti nuk i qëndroi prapa premtimit të tij për shpërndarjen e Kuvendit.
Beqa ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk e ka manipuluar PDK-në, por 50 për qind të votuesve të tij.
“Albin Kurti a na ka manipulu neve, ai i ka manipulu 50 për qind të votuesve? Nuk e besoj që PDK-në. Unë mendoj se prapë, nëse ka ftesë me u taku pozitë – opozitë edhe liderët mes vete, duhet me u taku”, ka deklaruar Beqa.
Gjithashtu, ai ka theksuar se do t’i votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend nëse mendojnë se janë të dobishme për zhvillimin ekonomik.
Beqa i PDK-së ndër të tjera ka thënë se asnjëherë nuk kanë vendosur vija të kuqe dhe se partnerët do t’i zgjedhë Bedri Hamza, i propozuar nga partia e tij për kryeministër.


