Please enter at least 3 characters.

Pas therjes me thikë të dy personave në Ferizaj, ndalohet një i mitur

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person- i mitur, në kohëzgjatje prej 24-orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”.

Sipas një njoftimi për media thuhet se rasti ka ndodhur sot, më datën 10.07.2026, reth ores 07:53, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona të tjerë.


Tutje në njoftim thuhet se fillimisht, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është lokalizuar nga ana e Policisë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale të lartëcekura.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit në këtë rast, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore. /Telegrafi/