Please enter at least 3 characters.

Pas pesë vitesh larg, Zidane konfirmon planet për rikthim

Legjenda e Real Madridit dhe e futbollit francez, Zinedine Zidane, ka konfirmuar se po punon për rikthimin e tij në futbollin e nivelit më të lartë si trajner.

Prej largimit nga stoli i Real Madridit në vitin 2021, emri i Zidane është lidhur vazhdimisht me disa prej skuadrave dhe kombëtareve më të mëdha në botë, por francezi ka zgjedhur të presë projektin e duhur përpara se të rikthehet në bankinë.

Sipas raportimeve të mediave franceze, destinacioni më i mundshëm për 53-vjeçarin mbetet Kombëtarja e Francës. Didier Deschamps pritet të largohet nga posti i përzgjedhësit pas Kupës së Botës 2026, duke i hapur rrugën një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit francez.

Vetë Zidane ka shtuar spekulimet me deklaratat e tij të fundit, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij është shumë afër.

“A vazhdoj të ëndërroj? Nuk ëndërroj më. Nuk kërkoj asgjë. Kam marrë tashmë shumë nga futbolli. Por ende kam objektiva, sepse jam një garues. Dua të rikthehem në fushë si trajner dhe shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt”, deklaroi Zidane.

Edhe pse karriera e tij si trajner ka qenë relativisht e shkurtër, ajo konsiderohet ndër më të suksesshmet në futbollin modern.

Zidane drejtoi Real Madridin në dy periudha të ndryshme, nga viti 2016 deri në 2018 dhe më pas nga 2019 deri në 2021.

Gjatë kohës së tij në ‘Santiago Bernabeu’, ai fitoi plot 11 trofe, duke hyrë në histori si trajneri i parë që triumfoi tre herë radhazi në Ligën e Kampionëve.

Nën drejtimin e tij, Reali fitoi gjithashtu dy tituj të La Ligës, dy Superkupa të Spanjës, dy Superkupa të UEFA-s dhe dy Kupa të Botës për Klube./Telegrafi/