Pas kritikave të Ben Blushit, reagon edhe Fatmir Spahiu: Mos u merrni me të
Në mesin e reagimeve të shumta pas shkrimit të Ben Blushit për filmat e rinj shqiptarë dhe kritikave të tij ndaj kinematografisë kosovare, ka reaguar edhe aktori Fatmir Spahiu.
Blushi, në shkrimin e tij “Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë”, ka kritikuar kinematografinë bashkëkohore shqiptare, duke e cilësuar atë si të zymtë dhe tepër të përqendruar te varfëria, jeta në fshat dhe mungesa e humorit. Reagime të shumta ka nxitur veçanërisht mënyra se si ai ka trajtuar filmat, aktorët dhe kinematografinë nga Kosova.
Mes kritikave të tij, Blushi ka pretenduar se aktorët kosovarë luajnë personazhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por publiku e ka të vështirë t’i kuptojë në filma.
Ai e ka përshkruar kinematografinë kosovare si “një zymtësi pa mbarim”, duke shkruar se asaj i mungojnë “madhështia dhe humori”. “Kosovarizimi i këngëve tona ka qenë sukses, kosovarizimi i filmave është dështim”, ka shkruar ai.
Në mesin e personazheve të artit që kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave është edhe Fatmir Spahiu. Aktori ka zgjedhur një qasje ironike, duke u bërë thirrje të tjerëve që të mos i kushtojnë vëmendje shkrimit dhe të mos e ushqejnë debatin.
“Njoni paska shkru dicka per neve! Kalone qete. Mos u merni me to. Mos ja zini emrin ne goje! Mandej shkumojne nga mungesa e vemendjes! Njejt ndodh edhe me fenomenet, leni le te kalojne. Pastaj treten. Dashakqinjet jane fluska!”, ka shkruar Spahiu.
Shkrimi i Blushit ka shkaktuar debat në rrjetet sociale dhe në mesin e emrave të artit e kulturës, ndërsa ndaj tij kanë reaguar edhe figura të tjera nga Kosova. /Telegrafi/


