Pas Kinollit, Abrashi bashkon forcat edhe me Erxhan Galushin për garën në Prizren
Kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga LVV, Artan Abrashi pas marrëveshjes së arritur me Albert Kinollin, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Erxhan Galushi, ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës (LPRK).
Abrashi tha se ky bashkëpunim synon forcimin e vizionit për një Prizren të zhvilluar dhe gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet, përfshirë edhe atë rom, të ketë mundësi të barabarta në zhvillimin e qytetit.
" Ky bashkëpunim ka për qëllim forcimin e vizionit tonë të përbashkët për një Prizren të zhvilluar, të drejtë dhe gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet, përfshirë edhe komunitetin rom, të ketë zë dhe vend të merituar në zhvillimin e qytetit tonë”, ka shkruar Abrashi.
Ai shtoi se Galuxhi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës do të kontribuojnë me përvojën dhe përkushtimin e tyre në ndërtimin e një administrate komunale të ndershme, transparente dhe efikase, në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt bashkimit të forcave pozitive për ta bërë Prizrenin shembull të bashkëjetesës, respektit dhe zhvillimit të barabartë për të gjithë”, shkroi Abrashi.
Kujtojmë se Abrashi në garën e balotazhit do të përballet me Shaqir Totajn e PDK-së. /Telegrafi/


