Pas bisedimeve pozitive me agjentin e tij, Bayerni bën gati ofertën për ish-yllin e Barcelonës
Bayern Munich po vazhdon me ritëm të lartë planifikimin e skuadrës për sezonin e ri. Ndërsa transferimet e Nathaniel Brown dhe Ismael Saibari raportohet se janë në fazë të avancuar, një emër tjetër i madh mund t’i shtohet listës së përforcimeve të kampionëve gjermanë.
Sipas mediumit anglez TeamTalk, Bayern po bëhet gjithnjë e më optimist për transferimin e Marcus Rashford gjatë kësaj vere, pas bisedimeve pozitive me përfaqësuesit e lojtarit.
Raporti thekson se klubi bavarez po përgatit hapa konkretë për të çuar përpara operacionin dhe pritet të nisë negociatat me një ofertë fillestare prej rreth 25 milionë eurosh.
Kjo ofertë mund t’i paraqitet së shpejti Manchester United, ndërsa arritja e një marrëveshjeje konsiderohet e mundshme pasi klubi anglez raportohet se është i gatshëm të dëgjojë oferta në vlerën e rreth 30 milionë eurove.
Diferenca financiare mes palëve nuk shihet si pengesë e madhe, duke rritur shanset që marrëveshja të finalizohet.
Rashford duket pranë largimit nga klubi ku u formua si futbollist, pasi është në kërkim të një sfide të re në karrierë.
28-vjeçari e kaloi sezonin e fundit në formë huazimi te Barcelona dhe tani mund të bëjë hapin e radhës duke u transferuar në Bundesliga./Telegrafi/


