Pas aksidenteve me fatalitet dhe ankesave për gjendjen e autostradës, Ministria nënshkruan kontratat për sanimin e skarpateve në “Ibrahim Rugova”
Pas aksidenteve me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova” dhe ankesave të qytetarëve lidhur me gjendjen e segmenteve të caktuara të këtij aksi rrugor, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve për sanimin e skarpateve në autostradën R7, raporton Telegrafi.
Sipas ministrisë, kontratat janë nënshkruar pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesës nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ndërsa projekti përfshin ndërhyrje në tri lokacione të ndryshme përgjatë autostradës.
Punimet parashihen të realizohen në kuadër të tre loteve:
- Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 72.4, me vlerë 2,087,952.94 euro
- Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në kilometrat 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 euro
- Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 44.0, me vlerë 1,398,964.85 euro
Vlera totale e projektit arrin në 4,673,997.88 euro.
Ministria ka theksuar se ky projekt adreson segmente që kanë kërkuar ndërhyrje të specializuara, me qëllim rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.
Sipas planifikimeve, mobilizimi i operatorëve ekonomikë dhe nisja e punimeve do të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Duke iu referuar diskutimeve dhe pretendimeve të ngritura ditëve të fundit për gjendjen e autostradës, Ministria ka ritheksuar se procedurat për projektin kanë qenë në shqyrtim pranë OSHP-së dhe institucioni nuk ka pasur mundësi ligjore të ndikojë në procesin e vendimmarrjes.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjetit rrugor në Kosovë, duke theksuar ndërhyrjet në akset me rëndësi strategjike për vendin. /Telegrafi/


