Parathënie: El Classico
Barcelona - Real Madrid është takimi që natyrisht çdo tifoz të futbollit e lë në qosh të objektit ku qëndron, duke lëpirë gishtat ose buzët, pa marrë parasysh kë adhuron apo a ka fituar skuadra e tij e preferuar.
Shumë fanatikë të futbollit, mund të thonë se ka ndeshje më të mëdha dhe më interesante kur luan skuadra e tyre, por këtë sezon, ndeshja biblike mes Real Madridit dhe Barcelonës ka marrë dimenzione tjera. El Classico i këtij sezoni pritet të jetë El Classico më i shikuar dhe më interesant i të gjitha kohërave.
Por, çfarë mund të pritet në një ndeshje ku disa prej më të mirëve, më të shtrenjtët dhe më fantastikët takohen nën dritat e koloseumit më drithërues në botë.? A do ta shohim Dani Alveshin duke bërë një dyluftim të ashpër me Sergio Ramosin ? A do ti masin forcat gjigantët e mbrojtjes ique dhe Pepe? Puyol sigurisht se këtu e ka fjalën e fundit…
Ndoshta poeti Andres Iniesta do të ketë punë me tangon e Ozil, apo është kjo punë e Lionel Messit.? Sigurisht caku kryesor nën snajperin e Lionel Messit do të jetë Cristiano Ronaldo.
Njeriu nga i cili pritet më së shumti në El Classico do të jetë padyshim Cristiano Ronaldo, që do të duhet të ‘ecë mbi ujë‘ që t’i rikthejë adhuruesit në anën e tij.
Më pas vijnë goditësit e mprehtë, David Villa dhe Gonzalo Higuain. I madhi Villa i stabilizuar në Camp Nou do të ketë punë për ta mposhtur kolosin e quajtur Casillas. Por kush do ta shërbejë ‘El Pipitan’ dhe ‘Villa Mara Villan’? Padyshim, Xavi dhe Xabi. Njëri llogaritet si njëri prej asistuesve më të mirë në botë sot, e ai është Xavi.
Mos ta harrojmë Mesut Ozil, i cili po shkëlqen si një yll i vogël në Galaktikën e madhe të Los Blancos.
Iker Casillas? Çfarë heroizma do të bëjë ky njeri në këtë sfidë? Apo, do ta nxjerrë topin jashtë rrjetës ashtu si bëri shpeshherë në ‘el Classicot’ e kaluara? Victor Valdes nga ana tjetër është i njohur për gabimet e tij, por disa e konsiderojnë atë si më të mirë se ‘San Ikerin’.
Pankina…çfarë të flitet për dy pankinat më të mira në botë, në njërën njëri nga strategët më të mirë në botë, njeriu më kontravers në botën e futbollit Jose Mourinho, përballë filozofisë Guardiola. Edhe kjo është një mini-përballje ‘akademike’ pasi mbetet të shihet nëse Mou, do t’i flasë kolegut katalanas në vesh duke i thënë ‘Unë gjallë, e ti të më mposhtësh, jo…’
Por, nuk do të jetë vetëm fusha e lojës argëtuese! Çfarë do të ndodhë në lozhën VIP ku takohen Sandro Rosell dhe Florentino Perez? Njëri prej tyre do të qajë në fund.
Ndoshta do të jeni të zënë në këtë takim aq shumë, pasi që do të shikoni triqet e Ronaldos, lëvizjet e Messit, pasimet e Xavit, apo samban e Di Marias.
Për t’iu përgjigjur pyetjes se cili do të jetë epilogu, pyesni Messin, Ronaldon, Xavin, Ozilin, Iniestan, Xabin, David Villa dhe shokët e tyre…
/Telegrafi/


