Paraglajdisti kinez mbijeton pasi aksidentalisht fluturoi 8 mijë metra mbi re
Një paraglajder kinez, i cili u shty aksidentalisht nga era në më shumë se 8,000 metra lartësi, është ndaluar nga aktiviteti për gjashtë muaj pasi një video e përvojës së tij u bë virale.
Peng Yujiang filloi nga një lartësi prej rreth 3,000 metra në vargmalin malor Qilian në Kinën veriore, ku ai synonte të testonte disa pajisje të reja.
Megjithatë, ai u ngrit më shumë se 8,000 metra lart, pothuajse gati sa lartësia e malit Everest.
Videoja e publikuar në rrjete sociale e tregon atë mbi re ndërsa temperatura ishte -35 gradë Celsius, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
"Duart e mia ishin ngrirë jashtë. Vazhdova të përpiqesha të flisja në radio", tha ai.
Raportohet se ai ishte në ajër për më shumë se një orë dhe kishte qëndruar në kontakt radio me mikun e tij, Gu Zhimin, i cili ishte në tokë.
Raporti thoshte se ai kishte tentuar të zbriste, por përpjekjet e tij ishin "të paefektshme" dhe ndërsa fluturoi më lart ai u hutua dhe humbi për pak kohë ndjenjat.
Peng përfundimisht ishte në gjendje të ulej rreth 30 kilometra nga vendi i nisjes, ku u takua nga Gu dhe një mik tjetër.
Ndryshe, fluturimi i tij i afrohet rekordit botëror prej 9,946 metrash të vendosur nga gjermanja Ewa Wisnierska në 2007.
Ajo ishte pa ndjenja për rreth 40 minuta, duke mësuar se sa lart kishte fluturuar vetëm pasi u ul në mënyrë të sigurt dhe kontrolloi të dhënat e saj të fluturimit. /Telegrafi/


