Pamje tronditëse nga Kina, qindra gjarpërinj helmues 'pushtojnë' vendin pas përmbytjeve
Qindra gjarpërinj, përfshirë kobra, kanë ikur nga fermat e mbarështimit të gjarpërinjve në jug të Kinës, ndërsa stuhitë e fuqishme vazhdojnë të godasin disa zona të vendit.
Mediat shtetërore raportuan se një fermë gjarpërinjsh në Hengzhou, në rajonin autonom Guangxi Zhuang, u godit nga përmbytjet pasi reshjet e dendura të shiut të shkaktuara nga tajfuni Maysak vazhduan për disa ditë, duke nxitur paralajmërime për banorët e zonave përreth.
“Qindra gjarpërinj ikën të gjithë menjëherë. Unë kam parë pesë ose gjashtë prej tyre”, tha një viktimë e kafshimit nga gjarpri në një spital lokal.
Banori tha se ishte kafshuar nga një kobër teksa po pastronte mbeturinat në shtëpinë e tij.
Një mjek lokal që trajton pacientët e kafshuar nga gjarpërinjtë tha se kishte trajtuar disa banorë që nga goditja e tajfunit në rajon.
Ndërkohë, Beijing News raportoi se një person i kafshuar nga gjarpri kishte vdekur, duke cituar konfirmime nga një spital lokal dhe dëshmitarë.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për “përpjekje të plota” për shpëtim, ndërsa përmbytjet dhe moti ekstrem vazhdonin të preknin rajonin.
Zyra e menaxhimit të emergjencave në Hengzhou tha se ishte në dijeni të raportimeve se ujërat e përmbytjeve kishin dëmtuar fermat e mbarështimit të gjarpërinjve dhe se disa banorë ishin kafshuar nga gjarpërinjtë e arratisur.
Kina përjeton shpesh fatkeqësi natyrore gjatë verës, me reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje që prekin disa rajone, ndërsa të tjera përballen me nxehtësi ekstreme.
Edhe pse shfaqjet e gjarpërinjve janë të zakonshme në zonat e prekura nga përmbytjet në jug, raportimet për qindra gjarpërinj që ikin nga fermat të mbarështimit janë të rralla. /Telegrafi/


