“Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Kaçanik
Në Kaçanik ka nisur aktiviteti “Ora e Pritjes”, një nismë e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, e cila po numëron mbrapa drejt 16 shtatorit, në pritje të vendimit për rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Aktiviteti është zhvilluar në bashkëpunim me Komunën e Kaçanikut dhe është ndjekur nga përfaqësues të platformës “Liria Ka Emër”, në mesin e tyre Eliza Hoxha, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, përfaqësues politikë, veteranë të luftës, aktivistë dhe qytetarë.
Gjatë aktivitetit u përcoll mesazhi për drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa nga Kaçaniku u bë thirrje për mbështetje të tyre dhe për kthimin e tyre në Kosovë.
Nisma “Ora e Pritjes” është pjesë e aktiviteteve të platformës qytetare “Liria Ka Emër”, të cilat po zhvillohen në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Platforma ka bërë të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa mesazhi i përcjellë nga Kaçaniku ishte: “Kosova po pret.” /Telegrafi/


