Please enter at least 3 characters.

Omani prezanton plan për Ngushticën e Hormuzit

Omani i ka paraqitur Iranit një propozim të mbështetur nga vendet e Gjirit për krijimin e një mekanizmi të përbashkët rajonal për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, duke i kërkuar Teheranit të heqë dorë nga kontrolli i vetëm mbi këtë rrugë strategjike detare.

Sipas planit, administrimi i ngushticës do të bëhej në bashkëpunim me shtetet e rajonit, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Ngushticës së Malakës.

Anijet që kalojnë do të mund të paguanin tarifa vullnetare, të cilat do të përdoreshin për financimin e sigurisë detare, mbrojtjes së mjedisit dhe operacioneve emergjente, shkruan reuters.

Propozimi synon të zgjidhë një nga çështjet më të ndjeshme në bisedimet për uljen e tensioneve në rajon.

Irani ka bërë të ditur se nuk është i gatshëm të rikthehet në situatën e mëparshme, ku trafiku detar kalonte pa kufizime, ndërsa vendet e Gjirit kundërshtojnë që Teherani të ketë kontroll ekskluziv ose të vendosë tarifa të detyrueshme për kalimin e anijeve.

Çështja është diskutuar së fundmi edhe në takime mes ministrave të Jashtëm të Iranit, Omanit dhe Arabisë Saudite.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet me Iranin po vazhdojnë, por paralajmëroi se, nëse diplomacia dështon, mund të rikthehen veprimet ushtarake. /Telegrafi/