NLB Banka dhe Universiteti i Prishtinës hapin zyrtarisht Data Hackathon 2026
NLB Banka, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ka lansuar sot programin Data Hackathon, një iniciativë e dedikuar zhvillimit të zgjidhjeve inovative nga studentët në fushën e teknologjisë, analizës së të dhënave dhe transformimit digjital.
Me hapjen e programit, Kryetari i Bordit Udhëheqës në NLB Banka, Gem Maloku, iu drejtua studentëve me një mesazh frymëzues: “Shfrytëzojeni këtë mundësi unike për të shprehur kreativitetin tuaj dhe mos hezitoni të vini me ide të guximshme e novatore. Ky është momenti juaj për të menduar ndryshe, për të eksperimentuar dhe për të provuar se si kreativiteti bëhet zgjidhje.”
Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Driton Balaj, shprehu mirënjohjen e tij për këtë partneritet, duke theksuar rëndësinë e tij për formimin profesional të studentëve: “Ky bashkëpunim u ofron studentëve tanë përvojë reale dhe një platformë për të aplikuar njohuritë e tyre në projekte me ndikim. Falënderojmë NLB Bankën për mbështetjen e këtij programi.”
Më pas studentët prezantuan idetë e tyre fillestare, duke shfaqur aftësitë e tyre në mendim kritik, kreativitet dhe qasje analitike. Për tri javët në vijim, ata do të punojnë në mënyrë intensive në konceptimin dhe ndërtimin e projekteve të tyre, të cilat më pas do të vlerësohen dhe shpërblehen.
Data Hackathon 2026 synon të krijojë një hapësirë të vërtetë inovacioni, ku studentët sfidojnë veten dhe njëri-tjetrin për të sjellë ide të reja që mund të ndikojnë në sektorin financiar dhe më gjerë.


