"Një histori seksi, strategjie dhe pushteti": Si e formësojnë gratë subjektin e Odisesë së Homerit
Skenë mozaiku antik nga Odiseja e Homerit, që paraqet Odisenë duke u takuar me sirenat
(Alamy)
Poema epike 2800-vjeçare - e përshtatur tani për ekranin e madh - është shumë më tepër sesa një rrëfim i drejtpërdrejtë për heroizmin. Protagonisti, Odiseu, është një hero mashkull - por, historia formësohet nga strategjitë, mashtrimet dhe joshjet e grave, nimfave, magjistareve dhe perëndeshave që ai takon gjatë rrugës. Pikërisht kjo e bën atë të duket kaq njerëzor.
Nga: Daisy Dunn / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Poema epike Odiseja rrëfen kërkimin e ushtarit mitik grek Odise, për t’u kthyer në mbretërinë e tij, në Itakë, pas viteve të luftimit në Luftën e Trojës. Udhëtimi i tij i rrezikshëm dhjetëvjeçar drejt shtëpisë është plot sfida dhe rreziqe të mundimshme - të cilat këtë muaj shfaqen në ekranin e madh në përshtatjen e Christopher Nolanit, me Matt Damonin në një nga rolet kryesore, së bashku me shumë yje të tjerë.
Protagonisti mund të jetë mashkull, por Odiseja është një histori në të cilën gratë mbizotërojnë. Kërkimi i heroit tonë për t’u kthyer dhe për të rimarrë mbretërinë e tij formësohet në çdo hap nga strategjitë dhe joshjet e grave, nimfave dhe perëndeshave që ai takon gjatë rrugës. Odiseja nuk është një rrëfim i drejtpërdrejtë për heroizmin, por një histori e seksit, strategjisë dhe pushtetit, që vazhdon të ketë jehonë edhe sot.
Poema fillon in medias res - në mes të ngjarjeve - me Odisenë që qan në bregdetin e Ogigisë, ku ka jetuar me nimfën Kalipso gjatë shtatë vjetëve të fundit. Edhe pse ai e kishte dëshmuar veten si hero në fushëbetejën e Trojës, tani duket krejtësisht i pafuqishëm; kjo përshtypje përforcohet nga fakti se nevojitet një kuvend i perëndive për të siguruar lirimin e tij nga ishulli.
Lexo po ashtu:
- Tregimi më i madh në histori!?
- Çfarë mund të na mësojë “Iliada” për luftën dhe adhurimin?
- Misteret erotike të Odisesë
- A ka ekzistuar Lufta e Trojës?
- Teoritë kontradiktore për ekzistencën e Homerit
- Njeriu kryesor i kohës i bëri tremijë vjet
Por, Odiseu nuk është aq i burgosur i Kalipsos, sa është i vetvetes. Lexuesi bashkëkohor mund ta diagnostikojë me të drejtë plogështinë e tij - paaftësinë për të vazhduar dhe për ta përmbushur kthimin në atdhe - si një simptomë të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD). Kjo nuk e zvogëlon ndikimin që Kalipso ka mbi të. Siç ia pranon vetë Odiseu nimfës, gruaja e tij Penelopa nuk mund të krahasohet me të për nga bukuria, sepse ajo është thjesht një e vdekshme.
Gruaja e Odiseut, Penelopa, ka qenë larg së qenit pasive gjatë mungesës së gjatë të bashkëshortit të saj. Ajo u ka bërë ballë me guxim dhe zgjuarsi përpjekjeve të 108 pretendentëve që janë mbledhur në pallat, të etur për t’u martuar me të dhe për t’u bërë mbreti i ri i Itakës. Endja nga Penelopa e një qefini mortor për vjehrrin e saj, Laertin - dhe shthurja e tij natën - është një nga episodet më të paharrueshme të poemës. Ajo është, si të thuash, një objektiv në lëvizje, suksesi i së cilës në zmbrapsjen e pretendentëve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë e Odiseut për të rimarrë mbretërinë e tij.
Është domethënëse që mbështetësja kryesore e Odiseut midis hyjnive është një perëndeshë. Athena strategjike e ndihmoi atë në Trojë dhe mori nismën për të nxitur kthimin e tij në atdhe. Më pas, kur ai del në breg në një gjendje të pambrojtur në vendin e feakasve, ajo organizon me zgjuarsi shpëtimin e tij, fsheh dobësinë e tij dhe ia përmirëson pamjen, në mënyrë që ai të duket hyjnor dhe i denjë për mikpritjen e tyre legjendare. Kjo e ndihmon të fitojë besimin e feakasve detarë, të cilët më pas i ofrojnë strehim, thesare dhe një udhëtim të sigurt për t'u kthyer në Itakë.
Është domethënës fakti se, në shumicën e rasteve kur ajo i shfaqet Odiseut dhe djalit të tij, Telemakut, Athena maskohet si burrë. Ajo paraqitet, për shembull, si Menti, një mbret mik i Itakës, dhe si një lajmëtar mashkull i feakasve. Athena e di shumë mirë se janë burrat ata që mbajnë pushtetin mbi tokë, por janë gratë ato që i formësojnë ngjarjet përmes dinakërisë.
Mjafton të shqyrtohen karakteret që Odiseu takon gjatë rrugës. Pasi mbërrin te feakasit, ai u rrëfen mikpritësve të tij mbretërorë për përjetimet e deriatëhershme - nga Ngrënësit e Lotosit deri te Ciklopi. Rrëfimet e Odiseut për gratë mitike shpesh janë më të frikshme pikërisht për shkak të pamjes së tyre të padëmshme.
Fasada të ëmbla
Odiseu ua pranon me lehtësi mikpritësve të tij, për shembull, se kishte qenë i etur ta dëgjonte këngën e Sirenave, të cilat banojnë në një ishull të izoluar dhe me brigje të rrezikshme shkëmbore në detin perëndimor. Në traditën e mëvonshme dhe në artin grek, Sirenat do të paraqiten si gra me trup shpendi ose si sirena deti, por Odiseu përqendrohet te përshkrimi i këngës së tyre të ëmbël si mjalti, e cila ka fuqinë t'i joshë burrat drejt vdekjes.
Përballë Sirenave shtrihet një livadh i mbushur me eshtrat e shumë burrave që ishin ndalur më parë për të dëgjuar këngën e tyre. Odiseu është i gatshëm ta marrë këtë rrezik: ai u kërkon njerëzve të tij ta lidhin pas direkut të anijes, që të mos mund të hidhej në det duke ndjekur muzikën e tyre magjepsëse. Sado e bukur të tingëllojë kënga e tyre, Sirenat janë vdekjeprurëse.
Circe ishte një tjetër bukuri e rrezikshme. Pak nga ata që e takonin për herë të parë do ta konsideronin kërcënuese, por, ashtu si Sirenat, fasada e saj e ëmbël fshihte fuqi magjike. Homeri e paraqet atë si një magjistare: ajo kishte barishte dhe eliksire me të cilat i shndërronte shokët e Odiseut në derra.
Megjithatë, si shumë prej qenieve të çuditshme që Odiseu ndesh gjatë udhëtimeve të tij, edhe Circe është aty si për ta ndihmuar, ashtu edhe për ta penguar. Edhe pse e bën të dashurin e saj, ajo gjithashtu i mundëson zbritjen në Botën e Nëndheshme, ku ai takohet me profetin Tiresia, i cili i jep këshilla për kthimin e tij në Itakë.
Mesazhi i qëndrueshëm është se femra përbindëshe dhe nimfat joshëse thjesht nuk mund të shpërfillen. Që të triumfojë, Odiseu duhet t'u dorëzohet atyre deri në një pikë - por, jo përtej saj. Personazhet që ai takon e vënë vazhdimisht në provë vendosmërinë e tij dhe aftësinë për të ruajtur masën, një virtyt që grekët e lashtë e çmonin shumë.
Lexuesit që i shohin me sy skeptik aventurat e tij dhe dyshojnë se ato janë krejtësisht trillime - histori që ai i sajon për të fituar besimin e feakasve, me shpresën se ata do të pranonin ta çonin me anije në shtëpi - do të jenë të parët që do ta përqafojnë një lexim të tillë alegorik. Ndoshta Odiseu nuk po luftonte aq shumë me përbindësha të vërtetë fizikë, sa me demonët e vet të brendshëm, shumë prej të cilëve rezultojnë shumë më tinëzarë sesa duken.
Natyrës së rrëshqitshme të rrëfimeve të Odiseut - madhështisë, gjallërisë dhe aftësisë së tyre për të shtrirë kufijtë e besueshmërisë - i detyrohet një pjesë e madhe e magjisë së poemës. Pikërisht kjo e përkufizon edhe Odiseun si hero. Ai është, siç e përshkruan Emily Wilson në përkthimin e saj, “një njeri i ndërlikuar”. I pakapshëm dhe i ndërlikuar, sepse është mjeshtër i mashtrimit; ai e ndryshon rrëfimin dhe identitetin e tij sa herë që i leverdis.
I zgjuar, plot imagjinatë dhe me të meta, Odiseu është, në fund të fundit, heroi më njerëzor i botës së Greqisë së lashtë. Ndjeshmëria e tij ndaj joshjeve të grave - dhe ndaj botëve madhështore, si ajo e feakasve - është njëkohësisht forca e tij dhe shkaku i rënies së tij. Nuk është çudi që ai vazhdon të na flasë edhe sot. /Telegrafi/


