Nga realiteti makabër i “Sarajevo Safari” te Hollywoodi, si filmat e famshëm paralajmëruan lojërat e rrezikshme të elitave aristokrate me jetët e të varfërve?
Një nga temat më të diskutuara në media së fundmi ka tronditur mbarë Evropën, me rikthimin në qendër të vëmendjes së dokumentarit “Sarajevo Safari” – një histori e cila për shumë vite dukej pothuajse e pabesueshme, por sot ka nisur të hetohet zyrtarisht nga autoritetet italiane.
Prokuroria e Milanos ka hapur hetime rreth të ashtuquajturve “sniper tourists (turistët snajperistë)” - të huaj që dyshohet se paguanin shuma të mëdha për të shfrenuar fantazinë e tyre, duke qëlluar për vdekje mbi civilë në Sarajevën e rrethuar gjatë viteve 1992-1995. Sipas një raportimi të DW, hetimi është iniciuar pasi gazetari italian Ezio Gavazzeni, bashkë me dy avokatë, dorëzuan një dosje 17-faqëshe me informacione që përfshijnë dëshmi, intervista dhe materiale të grumbulluara prej dekadash. Ai e riktheu interesin për temën pas publikimit të dokumentarit “Sarajevo Safari” në vitin 2022, të regjisorit slloven Miran Zupanič, i cili e ekspozon këtë praktikë makabre në mënyrë tronditëse.
Në dokumentar, ish-oficeri i inteligjencës së ushtrisë boshnjake Edin Subašić tregon se si të huaj nga vende të ndryshme paguanin që të silleshin në pozicionet serbe në malet rreth Sarajevës, ku u jepej mundësia të qëllonin mbi civilët e pambrojtur. Ai madje flet për një listë çmimesh, varësisht nëse “shënjestra” ishte burrë, grua, fëmijë apo grua shtatzënë. Në të njëjtën kohë, një ish-luftëtar serb i kapur në vitin 1993 rrëfen se kishte parë pesë të huaj të pajisur mirë, tre italianë mes tyre, të cilët nuk ishin aty për të luftuar, por për “aventurën”.
Italia është vendi i parë që e hap një hetim të tillë, ndërsa mediat lokale në Bosnje flasin për mundësinë që së shpejti të dalin edhe emra konkretë.
Shumë banorë të Sarajevës, që e kujtojnë ende terrorin e snajperëve, i quanin këta “mysafirë të fundjavës” - njerëz që vinin për një “përvojë të fortë” mizore dhe ktheheshin në normalitetin e tyre të hënën në punë. Disa prej tyre ishin serbë nga diaspora që vinin nga Gjermania vetëm për dy ditë; të tjerët dyshohet të kenë qenë qytetarë të shteteve perëndimore të cilët, sipas dëshmive, e paguanin këtë “përvojë” sikur të ishte një safari i shthurur mbi jetë njerëzish.
Kjo histori e errët, që deri dje dukej pothuajse si trillim, po rikthehet sot me forcë në skenën europiane. Megjithatë, një koncept i tillë ku njerëz të pasur kanë qasje mbi jetën e të varfërve vetëm për qëllime argëtimi, nuk është diçka e panjohur për njerëzimin – së paku jo për adhuruesit e filmave.
Është e çuditshme se i disa filma dhe seriale me nam botëror në një mënyrë apo në një tjetër “e parashikuan” që esktremitete të tilla kanë ekzistuar dhe janë mbajtur në heshtje.
Telegrafi sjell sot një përmbledhje të disa prej filmave dhe serialeve që kanë shtjelluar pikërisht këtë tematikë të dominimit të një shtrese elitare mbi jetën e njerëzve të zakonshëm – ku qëllimi i vetëm ishte një argëtim sadist/monstruoz.
Kur filmat parashikojnë ose pasqyrojnë mizori reale
Tema e njerëzve të pasur që argëtohen me dhimbjen apo vdekjen e të tjerëve është përdorur shpesh në filma horror, thriller dhe distopikë. Por kur e lexon për “Sarajevo Safari”, duket sikur bota e filmit – me gjithë fantazinë e saj – ka qenë e butë krahasuar me atë që ndodhi realisht.
Disa prej filmave më të njohur që trajtojnë këtë motiv janë:
“Hostel” (2005)
“Hostel” është një film horror i vitit 2005, me skenar dhe regji nga Eli Roth. Është një prej filmave më të hershëm që ka përshkruar këtë fenomen. Filmi ndjek një grup turistësh amerikanë, të cilët përfundojnë në Sllovaki, ku përfundimisht merren një nga një, nga një organizatë që lejon njerëzit të torturojnë dhe vrasin të tjerët.
Milionerë anonimë paguajnë për të torturuar e vrarë njerëz të pafajshëm. Filmi u kritikua për brutalitet, por sot, me historitë e “sniper tourists”, tingëllon më shumë si paralajmërim se sa fantazi.
“Squid Game” (2021) – gara vdekjeprurëse për argëtimin e elitave
Në serialin koreano-jugor i cili ishte hiti padiskutueshëm i Netflix, të pasurit shikojnë me kënaqësi sesi qindra njerëz të dëshpëruar garojnë deri në vdekje për para. Dinamika elitë dhe të varfër jo vetëm që është e frikshme, por e ngjashme me fenomenin e dehumanizimit që “Sarajevo Safari” ekspozon.
Ka qenë temë diskutimi shpesh herë në media nëse skenari i këtij seriali është i bazuar në jetën reale dhe në qoftë se njerëzit e pasur me maska që shfaqen në episodet e fundit duke “shijuar” lojën e famshme janë të vërtetë edhe në jetën reale, gjë të cilën vet regjisori nuk e ka pohuar. Megjithatë fansat vazhdojnë të mendojnë se këto skena përbrenda serialit kishin mesazhe të fshehura.
“The Purge” (2013) – një natë ku të pasurit pastrojnë shoqërinë
Një elitë e fshehtë që promovon vrasjet si ngarkesë për “pastrimin e shoqërisë” sjell një skenar që e zhduk kufirin mes fantazisë dhe eksperimentit shoqëror të tmerrshëm.
“The Hunt” (2020) – gjueti njerëzish e orkestruar nga të privilegjuarit
The Hunt është një thriller psikologjik që eksploron natyrën e dhunës dhe manipulimit në shoqëri. Filmi ndjek një grup njerëzish të pasur që organizojnë një lojë të fshehtë ku pjesëmarrësit, zakonisht individë të zakonshëm, gjejnë veten të përfshirë në një garë për mbijetesë. Koncepti ngjan me “human safari”, ku njerëzit shndërrohen në objekte argëtimi dhe viktimat e zgjedhura përballen me situata të rrezikshme dhe shpesh fatale.
Këta filma, sado tronditës, kanë një gjë të përbashkët: të pasurit janë të dhënë pas dhunës sepse pushteti absolut i çon drejt çkombëtarizimit total të viktimave. Por ajo që i bën më të rëndë sot është fakti se realiteti, në boshtin e Sarajevës, ka qenë shumë më i egër se çdo fabul filmike. /Telegrafi/


