Please enter at least 3 characters.

Nga nofka “Cruyffi i Mitrovicës” te trofetë me Prishtinën – Emin Baliqi, mysafir në “Arena e Yjeve”

Emin Baliqi

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është Emin Baliqi, një ish-futbollist i njohur dhe tashmë trajner. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.

Në një rrëfim të mbushur me emocione dhe nostalgji, Baliqi tregon historinë prapa nofkës së tij të famshme – “Cruyffi i Mitrovicës”, një epitet që ia vunë gazetarët pas një ndeshjeje të paharruar kundër Prishtinës, në kohën kur ai ende luante për Trepçën.

Performanca e tij e jashtëzakonshme në atë ndeshje, me lëvizje elegante dhe vizion loje që kujtonte legjendën holandeze, bëri që shumëkush ta shihte si një talent unik të asaj kohe.

Pas atij momenti, rruga e tij e futbollit mori drejtim të ri, me transferimin te Prishtina, ku Baliqi do të shkruante disa nga faqet më të arta të karrierës së tij.

Ai ndalet te periudha e suksesshme me kryeqytetasit, duke kujtuar trofetë, asistimet, golat dhe paraqitjet që e bënë pjesë të pandashme të historisë së klubit.

Një nga momentet më prekëse të episodit është kur Baliqi rrëfen një ngjarje të veçantë që i mbeti përjetësisht në kujtesë kur luante te Prishtina, por tifozët e Trepçës e brohoritën duke e bërë që t’i rrjedhin lotët.

Përmes rrëfimeve të sinqerta dhe kujtimeve të ngrohta, Baliqi sjell një udhëtim të rrallë në kohë – nga fillimet në Mitrovicë, tek sukseset me Prishtinën, e deri te respekti i fituar në mbarë Kosovën për stilin dhe karakterin e tij.

Episodin e plotë me Emin Baliqin mund ta ndiqni të shtunën në ora 17:10 në RTV Dukagjini, si dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit./Telegrafi/

- YouTubewww.youtube.com