Nga Llapi në Kirgistan – Hasan Hyseni prezantohet te FC Asia
Futbollisti kosovar Hasan Hyseni ka bërë një lëvizje të veçantë në karrierën e tij, duke nisur një aventurë të re jashtë Evropës.
Sulmuesi i krahut, i cili për vite me radhë ka qenë ndër lojtarët më të dalluar në pozitën e tij në futbollin kosovar, ka vendosur të vazhdojë karrierën në kampionatin e Kirgistanit.
Mitrovicasi ka firmosur të mërkurën me skuadrën FC Asia, klub që garon në elitën e futbollit të këtij vendi.
Klubi nga Kirgistani e ka mirëpritur afrimin e sulmuesit kosovar, duke shprehur besimin se ai do të jetë një përforcim i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit.
“Jemi të kënaqur të mirëpresim një sulmues të ri nga Kosova në ekipin tonë. I urojmë Hysenit ndeshje emocionuese, paraqitje të sigurta, gola të bukur dhe fitore të mëdha me ekipin tonë. Urojmë që kjo fazë të jetë e suksesshme si për lojtarin ashtu edhe për klubin”, ka shkruar FC Asia në njoftimin zyrtar.
FC Asia konsiderohet një prej skuadrave më të mira në kampionatin e Kirgistanit. Aktualisht, ekipi ndodhet në pozitën e pestë të tabelës me 33 pikë pas 16 ndeshjeve, ndërsa lideri i kampionatit ka grumbulluar 38 pikë.
Hyseni mund të debutojë menjëherë për klubin e ri në ndeshjen e ardhshme të fundjavës.
29-vjeçari së fundmi ishte pjesë e Llapit, ndërsa gjatë karrierës ka mbrojtur edhe ngjyrat e Trepçës ’89, ku nisi rrugëtimin profesional, si dhe të Prishtinës e disa skuadrave të tjera në futbollin kosovar./Telegrafi/


