Please enter at least 3 characters.

Nga Ibrahimovic te Ramaj – talentët që Kosova duhet t'i bindë sa më parë

Diaspora shqiptare vazhdon të jetë një prej burimeve më të rëndësishme të futbollistëve për Kombëtaren e Kosovës. Përveç lojtarëve që tashmë janë pjesë e “Dardanëve”, në futbollin evropian ka edhe emra me prejardhje nga Kosova që janë zhvilluar në Gjermani, Zvicër, Austri e vende të tjera dhe që mund të jenë opsione për Kombëtaren në të ardhmen.

Në mesin e tyre ka futbollistë që janë paraqitur për grupmoshat e vendeve ku janë rritur, por nuk kanë luajtur për Kosovën. Disa prej tyre madje kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Arijon Ibrahimovic – Bayern Munich

Arijon Ibrahimovic është padyshim një prej emrave më të njohur në këtë listë. I lindur më 11 dhjetor 2005 në Gjermani, ai është produkt i akademisë së Bayern Munichut dhe luan si mesfushor ofensiv dhe anësor.

Ibrahimovic ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmosha, përfshirë U21, por nuk ka luajtur për Kosovën. Ai është me prejardhje kosovare dhe është i lidhur me Kosovën përmes familjes.

Për FFK-në, ky është një prej rasteve më interesante, pasi bëhet fjalë për një lojtar të një klubi elitar evropian, i cili tashmë ka përvojë në nivele të larta të futbollit gjerman dhe evropian.

Yll Gashi – Bayern Munich II

Yll Gashi dhe Franco Foda

Yll Gashi është një tjetër talent i Bayern Munichut me prejardhje kosovare. I lindur më 17 janar 2008, ai luan si qendërsulmues dhe anësor.

Gashi u zhvillua fillimisht te Fuchse Berlin dhe Hertha Berlin, përpara se të kalonte te akademia e Bayern Munichut. Në vitin 2026 ai u promovua te Bayern Munich II dhe shënoi edhe golin e tij të parë për ekipin e dytë.

Ai ka përfaqësuar Gjermaninë nga U16 deri te U19. Megjithatë, Gashi është i kualifikueshëm edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky rast është veçanërisht interesant sepse ka pasur interesim konkret nga Kosova. Në vitin 2025 u raportua se përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, kishte udhëtuar në Gjermani për të biseduar me Gashin, ndërsa edhe Shqipëria ishte në garë për ta bindur.

Erblin Osmani – Bayern Munich

Erblin Osmani është një prej talenteve më të rinj dhe më premtues të listës.

I lindur në Munich më 19 maj 2009, Osmani është produkt i akademisë së Bayern Munichut. Ai luan si mesfushor dhe në mars 2026, në moshën vetëm 16-vjeçare, debutoi me ekipin e parë të Bayern Munichut në Bundesliga kundër Union Berlinit.

Osmani është me prejardhje nga Gjilani, ndërsa deri tani ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmosha.

Interesimi i Kosovës është i dokumentuar qartë. Në mars 2026, drejtori sportiv i FFK-së, Muharrem Sahiti, konfirmoi se ishte në kontakt me familjen e Osmanit. Më vonë, në qershor, talenti i Bayern Munichut u takua edhe me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, dhe vizitoi stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përndryshe, ai së fundmi u pajis edhe me pasaportën tonë, derisa sipas ambasadorit së Kosovës për Gjermani Faruk Ajeti, lojtari tashmë ka zgjedhur të përfaqësojë "Dardanët", edhe pse pritet konfirmimi nga FFK-ja.

Diant Ramaj – Borussia Dortmund

Diant Ramaj është një prej portierëve shqiptarë më të njohur të gjeneratës së tij.

I lindur në Stuttgart dhe me prejardhje nga Gjakova, Ramaj është zhvilluar në futbollin gjerman dhe ka luajtur për Eintracht Frankfurt, Ajax dhe së fundmi është pjesë e Borussia Dortmundit, ndërsa ka kaluar edhe në huazim te Heidenheim.

Portieri ka përfaqësuar Gjermaninë U18, U19 dhe U20, por nuk ka debutuar me ekipin A të Gjermanisë.

Kosova e ka kontaktuar në disa raste. Kosova kishte pasur kontakte me Ramajn dhe në një moment kishte pasur edhe shpresë që ai t’i bashkohej “Dardanëve”.

Olti Hyseni - Brondby

Olti Hyseni padyshim është një nga lojtarët më premtues dhe që i nevojitet sa më parë Kosovës.

Anësori kompletoi një transferim rekord prej 2.5 milionë eurove vetëm në moshën 19-vjeçare te gjiganti danez, Brondby, kurse luan pozitën e anësorit të majtë, pozitë që “Dardanët” po vuajnë kohëve të fundit.

Ai deri më tani ka përfaqësuar Danimarkën në grupmoshat e reja, pra nga U16 deri më U19, por ka të drejtë që të luajë për Kosovën.

Gentrit Muslija – FC Wil

Gentrit Muslija është një prej portierëve të rinj shqiptarë të zhvilluar në Zvicër.

Ai luan për FC Wil dhe është pjesë e strukturës së St. Gallenit. Në sezonin 2025/26 u bë portieri kryesor i Wilit dhe vazhdoi huazimin për një tjetër sezon.

Muslija ka përfaqësuar Zvicrën në grupmosha. Ai ishte pjesë e Zvicrës në Kampionatin Evropian U17 dhe më pas debutoi edhe me Zvicrën U21.

Samuel Krasniqi – Grasshopper Zurich

Samuel Krasniqi është 21-vjeçar dhe luan për Grasshopper Zurich.

I lindur në Aarau më 3 janar 2005, ai ka shtetësi zvicerane dhe kosovare. Luajti në sistemin e futbollit zviceran dhe në vitin 2026 mori ftesën e parë për Zvicrën U21.

Pozita e tij kryesore është në krahun e majtë, ndërsa mund të përdoret edhe në role të tjera ofensive.

Selmin Hoxha – Zurich

Ai ka lindur më 24 maj 2003 në Uster të Zvicrës dhe luan si mbrojtës i djathtë për Zurichun, ku mban fanellën me numrin 32.

Hoxha është produkt i akademisë së Zurichut dhe ka bërë debutimin me ekipin e parë në vitin 2022.

Ai është me prejardhje nga Restelica e Dragashit, ndërsa ka përfaqësuar Zvicrën U20

Dion Kacuri – Austria Lustenau

Dion Kacuri është një prej rasteve më interesante të kësaj liste.

I lindur më 11 shkurt 2004 në Baden të Zvicrës, Kacuri është mesfushor qendror dhe ka prejardhje nga Kosova. Prindërit e tij, Naim dhe Bukurije, janë nga Kosova.

Kacuri është zhvilluar te Grasshopper Zurich dhe më pas kaloi te Baseli. Për sezonin 2026/27 është huazuar te Austria Lustenau.

Ai ka përfaqësuar Zvicrën nga U18 deri te U21 dhe ka gjithsej tetë paraqitje me U21, sipas të dhënave të fundit.

Kacuri përndryshe së fundmi deklaroi se e ka "ëndërr përfaqësimin e Kosovës".

Dijon Kameri – Cracovia

Dijon Kameri është një tjetër emër shumë interesant, sidomos për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me Kosovën.

I lindur më 20 prill 2004 në Salzburg, Kameri luan si mesfushor. Ai është produkt i akademisë së Red Bull Salzburgut dhe ka luajtur për ekipin e parë të Salzburgut në Bundesligën austriake dhe në Ligën e Kampionëve. Më pas ka luajtur në huazim te Grasshopper dhe Altach, ndërsa në vitin 2025 kaloi te Cracovia në Poloni.

Kameri ka përfaqësuar Austrinë nga U15 deri te U21, ku është paraqitur edhe si kapiten.

Por në nëntor 2025 ai dha një sinjal shumë të fortë për Kosovën. Kameri deklaroi se e do Kosovën, vendin e prindërve të tij, dhe konfirmoi se ishte në kontakt me Franco Fodën.

Lutfi Dalipi - Vaduz

Futbollisti që së fundmi po i çmendë të gjithë në Zvicër, është padyshim sulmuesi i Vaduzit Lutfi Dalipi.

20-vjeçari ka luajtur për Zvicrën, por ka të drejtë që të përfaqësojë edhe Kosovën, Shqipërinë apo Portugalinë, këtë të fundit pasi ka nënë portugeze.

Ai këtë edicion ka ‘shpërthyer’ në kampionatin zviceran me katër gola e shtatë asistime në proces, përfshirë këtu edhe paraqitjet në Ligën e Konferencës.

Rikujtojmë, Kosova këtë muaj e nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve, më 24 shtator ndaj Irlandës, ndërsa do të përballet edhe me Austrinë dy herë si dhe Izraelin.

Nuk do të ishte befasi nëse ndonjë nga këta emra do t’i shihnim në listën e Franco Fodas, që pritet të bëhet publike më 18 shtator./Telegrafi/

true