Please enter at least 3 characters.

Nga dreka, te plumbat që u morën jetën në makinë - detajet e fundit nga atentati në Lezhë

Një atentat i rëndë me armë zjarri ka ndodhur të dielën në rrugën Balldren-Torovicë në Lezhë, ku kanë mbetur të vrarë Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci, 32 vjeçe.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, çifti po lëvizte me një automjet tip Audi Q7, kur është qëlluar me breshëri plumbash.

Dyshohet se mbi 30 plumba janë shkrepur në drejtim të automjetit, i cili është bërë shoshë.

Bazuar në të dhënat paraprake të grupit hetimor, autorët dyshohet se kanë përdorur dy automjete dhe kanë monitoruar lëvizjet e viktimës gjatë ditës, para se të kryenin sulmin.

Hetuesit po punojnë për identifikimin e mjeteve të përdorura nga autorët, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Informacioneve fillestare tregojnë se, çifti kishte qenë duke drekuar në një restorant para sulmit, ndërsa dyshohet se autorët i kishin vëzhguar që nga momenti i daljes nga lokali.

Kreshnik Mujeci rezulton emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arrestuar në vitin 2016 bashkë me vëllanë e tij për vrasjen e Genc Mëhillit, por më pas ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për mungesë provash.

Çështja ishte rikthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë në tetor të vitit 2024.

Policia po heton disa pista, përfshirë konflikte të mundshme të fundit të viktimës, si dhe dyshime për përfshirje në aktivitete të paligjshme në fushën e narkotikëve.

Hetimet për zbardhjen e atentatit po vazhdojnë.

- YouTubewww.youtube.com