Nga 5 shtatori nis faza e dytë e dezinsektimit në Podujevë
Komuna e Podujevës ka njoftuar se nga 5 shtatori do të nisë faza e dytë e dezinsektimit të hapësirave të jashtme dhe zonave përreth lumenjve Llap, Dumnicë dhe Batllavë.
Sipas njoftimit, procesi do të zhvillohet nga 5 deri më 7 shtator, me qëllim të zvogëlimit të numrit të mushkonjave dhe insekteve të tjera fluturuese, si masë parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjeve infektive.
Më 5 shtator, dezinsektimi do të kryhet përreth lumit Llap në pjesën e qytetit të Podujevës dhe në fshatrat Peran, Bajçinë, Dobërdol, Sekiraçë, Gllamnik, Siboc i Epërm dhe Penuhë.
Ndërkaq, më 6 shtator do të përfshihen zonat përreth lumit Llap në Lluzhan, Llugë, Shakovicë dhe Lupç të Poshtëm, si dhe fshatrat Sfeçël, Dumosh, Siboc i Poshtëm, Bellopojë dhe Batllavë.
Dezinsektimi përreth lumenjve do të nisë nga ora 08:00, ndërsa ai në qytet, rrugë, rrugica dhe parqe do të zhvillohet nga ora 20:00. Për shkak të kërkesave të qytetarëve, dezinsektimi i qytetit dhe parqeve do të bëhet më 6 shtator, duke filluar nga ora 20:00.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë dezinsektimit në qytet t’i mbajnë dritaret të mbyllura, për të shmangur futjen e insekteve në hapësirat e banimit.
Gjithashtu, shoqatat e bletarëve dhe pronarët e bletëve janë njoftuar që gjatë ditëve të përcaktuara të mos i lëshojnë bletët për kullotë dhe t’i mbajnë ato të mbyllura, me qëllim të mbrojtjes së tyre. /Telegrafi/


