Nënë e bir vidhnin gjësende me vlerë dhe para në banesa - Policia arreston 67-vjeçaren, në kërkim djali i saj
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kanë arrestuar një 67-vjeçare e dyshuar për vjedhje, ndërsa në kërkim është edhe djali i saj, 36-vjeçar.
Rastet e vjedhjes kanë ndodhur në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit gjatë muajve maj–shtator.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, si rezultat i punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe puna në terren, ndaluan shtetasen Z. U., 67 vjeçe, banues në Belsh.
Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi L. U., 36 vjeç, banues në Belsh”, thuhet në njoftim.
Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës.
Duke përdorur sende si kaçavidë dhe levë, ata kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit.
04.05.2025, fshati Vasjar, Memaliaj – në banesën e shtetasit P. Ll., kanë vjedhur bizhuteri floriri dhe një shumë parash;
10.07.2025, fshati Krahës – në një objekt kulti, kanë vjedhur një shumë parash;
07.08.2025, fshati Sukë, Përmet – në një objekt kulti, kanë vjedhur një shumë parash;
23.08.2025, fshati Petran, Përmet – në lokalin e shtetasit A. L., kanë vjedhur një shumë parash;
04.09.2025, Memaliaj – në një objekt kulti dhe në një lokal, kanë vjedhur një shumë parash.
Policia e Shtetit bën të ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një celular dhe sendet që përdornin për të kryer vjedhjet (levë dhe kaçavidë).
Policia thekson tutje se po punojnë për kapjen e 36-vjeçarit, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/


