Në trevjetorin Ushtrisë së Kosovës, Mehaj: Kemi arsye të fuqishme të ndjehemi krenarë
Në tre vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se ka arsye të fuqishme për t’u ndjerë krenarë me të gjitha të arriturat e deritanishme të FSK-së.
Mehaj, në një postim në Facebook, ka thënë se do të vazhdojnë rrugëtimin përpara drejt realizimit të vizionit për ushtrinë plotësisht operacionale, profesionale, multietnike, moderne dhe plotësisht të ndërveprueshme me forcat e vendeve aleate.
“Sot, në trevjetorin e miratimit të pakosë ligjore themelore që legjitimoi mandatin ushtarak të FSK-së krahas themelimit të Ministrisë së Mbrojtjes, kemi arsye të fuqishme të ndjehemi krenar me të gjitha të arriturat e deritashme, duke qenë të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë.Gëzuar bashkë me SHBA-në, aleatin tonë të pazëvendësueshëm që njohu dhe mbështeti deri në fund vullnetin tonë për ushtrinë që kemi.Gëzuar bashkë edhe me gjithë aleatët tjerë!Vazhdojmë rrugëtimin përpara drejtë realizimit të vizionit tonë:Ushtrinë tonë plotësisht operacionale, profesionale, multietnike, moderne dhe plotësisht të ndërveprueshme me forcat e vendeve aleate”, ka shkruar Mehaj.
Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi tri ligje që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një Ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./Telegrafi/


