Ndryshimet në këmbë mund të zbulojnë sëmundje të zemrës: Cila shenjë shpesh neglizhohet?
Simptomat e sëmundjeve të zemrës nuk janë gjithmonë të njëjta. Ato mund të ndryshojnë nga personi në person dhe, sipas mjekëve, jo të gjithë do të kenë të njëjtat shqetësime
Ënjtja e këmbëve zakonisht është një problem i padëmshëm dhe mund të shkaktohet, për shembull, nga qëndrimi i gjatë ulur ose nga ndonjë dëmtim. Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Në disa raste, ënjtja e këmbëve mund të jetë shenjë e sëmundjeve të zemrës.
Sëmundjet kardiovaskulare janë një problem global. Vlerësohet se një në 12 persona do të zhvillojë një formë të sëmundjes së zemrës.
Cilat janë simptomat e sëmundjeve të zemrës?
Simptomat e sëmundjeve të zemrës nuk janë të njëjta te të gjithë pacientët dhe është e mundur që jo të gjithë t’i njohin në kohë.
Një hulumtim i organizuar nga shërbimi LloydsPharmacy Online Doctor, ku morën pjesë 500 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se vetëm 46 për qind e të anketuarve e dinin se ënjtja e këmbëve mund të jetë simptomë e sëmundjeve të zemrës.
Mjekët theksojnë se simptomat më të zakonshme të sëmundjeve të zemrës janë dhimbja në gjoks, vështirësia në frymëmarrje, lodhja e theksuar dhe rrahjet e çrregullta të zemrës, por edhe ënjtja e këmbëve.
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Serbi. Çdo vit, prej tyre vdesin më shumë se 50 mijë qytetarë, një numër i krahasueshëm me popullsinë e një qyteti të vogël. Ekspertët kujtojnë se zakonet e shëndetshme, diagnostikimi i hershëm dhe respektimi i terapisë janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të zemrës, transmeton Telegrafi.
Kur duhet të telefononi urgjencën?
Dhimbja në gjoks është një nga simptomat më të shpeshta dhe më të njohura të sëmundjeve të zemrës. Dhimbja në gjoks që shfaqet si presion, shtrëngim, ndjesi ngushtimi ose rëndese mund të jetë shenjë e një infarkti të zemrës.
Ky është një urgjencë mjekësore në të cilën çdo minutë ka rëndësi, ndaj është e rëndësishme të kërkohet sa më shpejt ndihmë mjekësore.
Sipas anketës, 80 për qind e pjesëmarrësve e njohën dhimbjen në gjoks si simptomë të sëmundjeve të zemrës, duke e bërë atë shenjën më të dallueshme. Ndërkohë, 77 për qind e të anketuarve e identifikuan saktë vështirësinë në frymëmarrje si simptomë.
Si shfaqen këto probleme?
Mjekja e përgjithshme, dr. Bhavini Shah, shpjegon se kur zemra nuk pompon mjaftueshëm gjak nëpër trup, lëngjet mund të grumbullohen në mushkëri. Kjo e vështirëson frymëmarrjen dhe shkakton mungesë ajri.
Rrahjet e çrregullta të zemrës gjithashtu mund të jenë tregues i sëmundjeve të zemrës, gjë për të cilën ishte në dijeni 70 për qind e pjesëmarrësve. Rreth 66 për qind e të anketuarve thanë se edhe lodhja e skajshme mund të jetë simptomë.
Ndërsa ënjtja e këmbëve, e njohur në mjekësi si edemë, shfaqet kur lëngjet grumbullohen në inde. Ky simptomë mund të përkeqësohet gjatë ditës dhe, në disa raste, mund të jetë tregues i një problemi me zemrën, shpjegon mjekja. /Telegrafi/


